“Lotët mbaruan, jam gati për të luftuar”; Mihajlovic rrëqeth me letrën falënderuese

15 Korrik 2019
15:16
Alfred Lleshi
back button

“La Gazzetta dello Sport” ka publikuar këtë letër, të shkruar nga Sinisa Mihajlovic, i cili u bë kryelajm i mediave sportive europiane së fundi, kur njoftoi se është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, leuçemi akute. Futbollisti dhe trajneri serb i disa skuadrave në Serie A, së fundi në drejtimin e Bologna, përmes mirënjohjes përmbledhëse "faleminderit të gjithëve, më dhanë uratën", thotë se është gati për të luftuar kundër sëmundjes dhe fituar: 

"Ju faleminderit të gjithë juve, që ishit afër meje: presidentëve të ekipeve, ku kam luajtur si futbollist, ose kam drejtuar si trajner; edhe atyre, me të cilët nuk kam punuar kurrë, por treguan respekt dhe dashuri!

Faleminderit ish-shokëve të ekipeve dhe kundërshtarëve të viteve të mia si futbollist, faleminderit lojtarëve që kam trajnuar deri më sot dhe atyre që kurrë nuk i kam drejtuar, por në mënyrë të barabartë më kanë thënë "Forza Mister"!

Faleminderit tifozëve të ekipeve "të mia" dhe atyre që kam pasur përballë, me një fanellë tjetër! Shumë nga ata që më kanë sfiduar në fushën e blertë, këtë herë më kanë inkurajuar dhe kanë shkruar: "Mos u dorëzo Sinisa"!

Faleminderit të gjithëve, jo vetëm njerëzve të sportit, por të politikës apo argëtimit, sepse keni qenë afër meje në këtë moment të vështirë! Faleminderit miqve të një jete, të njohur në shumë qytete, gjatë karrierës sime! Faleminderit edhe njerëzve të thjeshtë, që nuk janë të famshëm! 

Ata që më njohin e dinë se unë vlerësoj çdo njeri për atë që është dhe jo për atë që mund të ishte. Që nga mesazhet e krerëve të shtetit deri te letra e marrë nga një fëmijë, që ka dhuruar një buzëqeshje për mua, ju keni qenë të gjithë të rëndësishëm. Faleminderit, faleminderit! Tani i kam mbaruar lotët, jam gati për të luftuar. Shihemi së shpejti".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit