Lotito e Tare: Mjaft më, po hidhet baltë mbi Lazio-n!

6 Dhjetor 2018
16:19
back button

Rezultatet e fundit jo të mira kanë bërë që Lazio të përjetojë një moment të vështirë, ndërkohë që mediat në Itali kanë nisur zhurmën se trajneri Simone Inzaghi rrezikon vendin e punës dhe se presidenti Claudio Lotito është i zemëruar me të.

Për këtë arsye, sot presidenti i Lazio-s ka dalë para mediave, i shoqëruar nga drejtori sportiv Igli Tare e trajneri Inzaghi ("djemtë e mi" i ka quajtur Lotito) dhe menaxheri i klubit, Angelo Peruzzi, për të sqaruar disa gjëra dhe për të përgënjeshtruar lajmet e fundit.

"Nuk flas prej 4 vitesh, por vendosa ta bëj sot për të sqaruar disa situata në klub dhe marrëdhëniet brenda klubit. Prej shumë kohësh po shoh që publikohen lajme që kanë si qëllim vetëm destabilizimin e ambientit. Jemi të qetë, si një familje e madhe, ku natyrisht ka edhe këndvështrime të ndryshme. Megjithatë, disa situata nuk ekzistojnë. Dua respektimin e së vërtetës dhe jo lajme false. Kemi ndërmarrë një rrugëtim rritjeje në aspektin e infrastrukturës dhe të objektivave.

"Mund të ndodhë që ndonjë ndeshje të mos ecë si duhet, por kjo nuk do të thotë që po afron katastrofa apo janë përkeqësuar marrëdhëniet", u shpreh Lotito në konferencën për shtyp në qendrën stërvitore në Formello.

Në lidhje me trajnerin dhe stafin e tij, Lotito deklaroi: "Trajneri do qëndrojë për shumë vite me ne, drejtori sportiv do jetë po ky për shumë vite dhe menaxheri i klubit, Angelo Peruzzi, do të jetë i njëjti për shumë vite. Të jetë e qartë kjo gjë, nuk jemi tranzitorë, por përfundimtarë. E di që kam një Ferrari që po ecën me shpejtësi të kufizuar, por rëndësi ka që të gjejmë një zgjidhje që të ecim sërish shpejt".

TARE – Pas Lotitos foli edhe Igli Tare: "Presidenti e tha shumë mirë atë që mendojmë. Kritika pranohet, por ditët e fundit ka pasur kritika vetëm për të destabilizuar. Edhe vendimi për grumbullim të skuadrës është mbuluar nga balta, kur në fakt qëllimet e grumbullimit ishin të tjera. E vë re prekj vitesh këtë gjë, shpresoj që ju gazetarët ta ndryshoni, sepse keni përgjegjësi për shumë gjëra. Ne po mundohemi të rritemi, edhe ju duhet të tregoheni të zotë dhe të kritikoni në mënyrë konstruktive. Kemi parë disa artikuj këto ditë që flasin qartë për shumë gjëra. Trajneri ynë meriton respekt, është historia e këtij klubi, askush nuk ka qenë kaq gjatë këtu si lojtar e trajner. Skuadra ka besimin tonë të plotë, mesazhi ynë për tifozët është që të qëndrojë të qetë, po punojmë për të gjetur zgjidhje për çdo problem, sepse rrugëtimi është i gjatë dhe i vështirë, por jemi të sigurt që në të ardhmen do të korrim fryte".

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit