Lufta me Covid-19, ngjitja në Serie A, ëndrra e madhe me Shqipërinë; rrëfehet Berisha

29 Prill 2021
13:28
Alfred Lleshi
back button

Nga frika prej Covid-19 tek ëndrra e ngjitjes në Serie A, por me një dyshim për të ardhmen. Ndërkohë, megjithatë, Etrit Berisha ka ide të qarta për finalen e sezonit: “Ne duam të fitojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur për të kapur kreun e renditjes dhe luajtur “play off” sa më mirë. Kemi atë që duhet për t’u kthyer në Seria A”.

Çfarë i mungonte Spal-it këtë vit?
Ne kemi pasur shumë dëmtime dhe nuk kemi qenë në gjendje të mbajmë të njëjtin standard të performancës si në shtëpi, edhe jashtë. Gjithashtu kemi humbur besimin kur, pavarësisht lojës së mirë, disa rezultate nuk ishin të duhurit. Situata nuk ishte e lehtë për t’u menaxhuar. Gjithsesi, kemi akoma kohë për të rikuperuar.

Në mes u ndryshua edhe trajneri…
Me Marinon kemi bërë mjaft mirë, gjithashtu duke marrë parasysh që po vinim nga një rënie dhe kjo ishte një goditje e rëndë për të gjithë. Pastaj patëm një rënie dhe duke pasur parasysh që ekipi nuk reagoi, ndryshimi në drejtim ishte i nevojshëm. Rastelli u përpoq mbi të gjitha të punonte për besimin e grupit dhe reagimi ynë u pa.

Ju jeni “numri një” në emër dhe në fakte: a jeni i lumtur për këtë?
Të jesh numri një nuk është e lehtë. Unë punoj shumë për të bërë ndryshimin në çdo ndeshje. Me kënaqësi e pranova sfidën e Serie B, sepse e njoh mirë këtë klub, edhe nëse nuk është e lehtë të zbresësh në kategori. Këtu ka ekipe të forta dhe është kënaqësi të përballesh me lojtarë të shkëlqyeshëm.

Çfarë do të bëni sezonin e ardhshëm?
Sinqerisht, nuk e di akoma. Ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare edhe për mua, por nuk kam folur ende për të ardhmen. Kah fundi i muajit tjetër do të di më shumë.

Në aspektin taktik, preferoni të keni një mbrojtje me tre apo katër para jush?
Për mua si portier nuk ndryshon shumë. Personalisht mendoj se Spal duhet të mësohet të luajë në të dyja mënyrat, sepse trajneri vendos gjithashtu në bazë të dëmtimeve. Gjëja më e dobishme është të jesh në gjendje të prodhosh shfaqje të mira në shtëpi me formacione të ndryshme.

Ky sezon, për ju përkoi gjithashtu me një shtrim në spital për Covid-19. Çfarë shije ju la kjo përvojë?
Ishte shtrimi im i parë në spital dhe gjithmonë do ta kujtoj atë si një moment shumë të vështirë. Kam parë vuajtjet e kaq shumë njerëzve nga afër. Tani jam i lumtur të shoh që situata globale po përmirësohet.

A keni një ëndërr me Shqipërinë?
Ne besojmë në mrekullinë e kualifikimit për Kupën e Botës tjetër. Kjo, sepse kemi një trajner me përvojë si Reja. Ai është i dashuruar me Ferrara dhe Spal, di gjithçka për këtë klub. Më pëlqen të flas shpesh me të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit