“Luftë e ftohtë” mes Interit dhe Conte, del në skenë Allegri

11 Korrik 2020
10:26
Alfred Lleshi
back button

Kjo që po ndodh në shtëpinë e Interit është një moment shumë delikat. Pikët e shumta të lëna gjatë ndeshjeve të fundit kanë pasur efektin e dyfishtë; të bërjes së rrugës drejt titullit më shumë sesa “malore” dhe krijimit të një klime të nderë, që ishte e vështirë të imagjinohej deri para disa javësh.

Siç raporton “Corriere della Sera”, asnjëherë më parë nuk ka pasur një ndjenjë largësie e ftohjeje midis Antonio Conte dhe klubit zikaltër sa tani. Edhe fjalët e lëshuara nga trajneri pas barazimit të fundit me Veronën (në fund të sezonit do të jap konsideratat e mia para klubit), bëjnë të qartë se ka diçka që ndoshta nuk po shkon në drejtimin e duhur.

Ish-trajneri i Italisë ka treguar në të kaluarën se është një person i aftë për të marrë vendime të forta, madje të papritura. Sot janë të shumtë ata që pyesin nëse qëndrimi i tij te zikaltrit është i sigurt apo jo. Conte e vlerëson skuadrën që ka në dispozicion, në njëfarë mënyre, ndërsa vlerësimi i bërë nga klubi është i ndryshëm. Pra, palët duhet të gjejnë domosdoshmërisht një pikë takimi në gjykime.

Trajneri ka kontratë me Interin, fiton 11 milionë euro në sezon, deri në vitin 2022. Pra, të mendosh për shkarkimin e tij të mundshëm është të paktën një ushtrim i ndërlikuar. Interi nuk kanë ndërmend të ndjekë këtë rrugë, por asgjë nuk e pengon vetë trajnerin të bëjë një hap prapa, nëse nuk është i bindur për projektin.

Conte, kohët e fundit ka përdorur tone aspak diplomatike, çka nuk pëlqehet shumë në shtëpinë e “Suning”. Tani për tani, askush nuk ka vendosur të kalojë në planin B, por nëse situata do të rëndohej dhe trajneri do të tërhiqej vetë, alternativa e ka tashmë një emër: Massimiliano Allegri.

Ish-trajneri i Juventusit aktualisht është i lirë nga detyrimet kontraktuale, por përflitet në klube të tjera si PSG. Çdo bisedë e mundshme me të do të shtyhet pas “Europa League”, ndërkohë që e vetmja gjë për t’u bërë tani për tani është rigjallërimi i atmosferës në kampin zikaltër dhe mbyllja sa më e mirë e sezonit.

Ndjenja është se, në fund të fundit, Conte do të përpiqet të shtrojë kërkesa të tjera për klubin, duke kërkuar blerje më cilësore, që të afrohet më tepër me Juventusin, por klubi zikaltër nuk do të jetë në gjendje ta kënaqë atë për gjithçka. Çdo vendimmarrje mund të jetë vetëm konsensuale, ndaj mbetet të kuptohet se ku mund të gjendet pika e takimit mes palëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit