Luftëtari nis nga puna, gjen sulmues dhe thur ëndrra të pashpresa për… Milinkovic

6 Korrik 2019
18:22
Eraldo Harlicaj
back button

Luftëtari do të nisë nga përgatitjet për sezonin e ri më datë 15 korrik. Skuadra gjirokastrite ende nuk ka një trajner, ndërsa e ardhmja është me dyshime, por të paktën do të nisë nga puna në terren. 

Klubi bluzi doli me një deklaratë për shtyp ku jep detaje në lidhje me fillimin e përgatitjeve, afrimin e një sulmuesit Majkëll Olaitan, por dhe për trajnerin. Luftëtari shkruan se po bisedojnë të rikthejnë në Shqipëri, Mladen Milinkoviç. Në fakt, diçka e tillë është e pamundur, pasi trajneri serb ka firmosur në Suedi. 

Njoftimi i klubit – "Klubi i futbollit Luftëtari njofton se data 15 korrik do të jetë dita e grumbullimit të skuadrës dhe më pas startimi i fazës përgatitore për sezonin 2019-2020.

Merkatoja e ekipit është në proces zhvillimi, ku deri tani ju bëjmë me dije se është arritur akordi me futbollistin e huaj, Majkëll Olaitan dhe zyrtarizimi i tij do të bëhet në ditët në vijim. Luftëtari është në bisedime edhe me disa lojtarë, të cilët do të bëhen me dije nga klubi në ditët në vijim dhe për t’ju bashkuar më pas me pjesën tjetër të skuadrës.

TRAJNERI- Klubi është ende në bisedime me disa trajnerë, ku midis tyre është edhe serbi Mladen Milinkoviç, i cili drejtoi ekipin tonë në sezonin 2016-2017.

Në ditët në vazhdim Klubi i futbollit Luftëtari do të bëje me dije trajnerin e ri dhe prurjet e reja që do të afrohen", – shkruan klubi. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit