Luhet derbi i kryeqytetit, Tirana në “shtetrrethim” prej orës 16:00

13 Dhjetor 2019
10:31
Alfred Lleshi
back button

Sonte, prej orës 19:00, në “Air Albania Stadium” do të luhet derbi I madh I kryeqytetit, Partizani-Tirana. Hyrja në stadium do të nisë shumë më herët, prej orës 16:30, ndërkohë që policia do të marrë masa të rrepta përreth impiantit të ri sportive në Tiranë, ku do të luhet për herë të parë një ndeshje e kampionatit shqiptar. Duke ditur antagonizmin mes dy tifozërive, shoqëruar shpesh me incidente të rënda, unifromat blu kanë publikuar masat e marra:

“Masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes sportive “Derbi” që do zhvillohet në stadiumin “Air Albania”. Në zbatim të ligjeve të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit në aktivimin sportiv futbollistik Partizani-Tirana, që do të zhvillohet në datën 13.12.2019, ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, në të gjithë territoret jashtë stadiumit dhe në të gjitha rrugë-kalimet. Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të mjeteve nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, në segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara:
– Sheshi “Nënë Tereza”;
– Pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”;
– Rruga “Dervish Hima”;
– Përreth stadiumit “Air Albania” ;

Do të kufizohen rrugëkalimet gjatë kohës së kalimit të tifozëve të Partizanit dhe Tiranës. Po kështu, kërkon mirëkuptimin e tifozëve të Sport Klub Partizanit dhe Sport Klub Tirana që të zbatojë kërkesat e mëposhtme: Tifozët e Sport Klub Partizanit do të grumbullohen tek 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga:
– 21 Dhjetori;
– ura “Vasil Shanto”;
– kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”,
– rruga “Sulejman Delvina”;
– Libri Univeristar;
– Presidenca drejt për tek COIN;
– Hyrjet tek tribuna N dhe E të stadiumit dhe anasjelltas;

Tifozët e Klub Sport Tirana do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga;
– Ministria e Brendshme, Pedonalja;
– rruga “Xhorxh Bush”;
– Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit”;
– Ambasada e SHBA-së;
– Kthim në rrugën “Dervish Hima;
– Kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari”;
– Tribuna “S” dhe kthim anasjelltas;

Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugë-kalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ. Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit