Luis Suárez, 24 orë ”jashtë” Ligës së Kampionëve

20 Shkurt 2019
14:56
Alfred Lleshi
back button

Nëse është një lojtar, që personifikon thatësirën e vuajtur nga Barcelona në transfertën me Lyon, ky quhet Luis Suarez. Kështu shkruan në analizën e saj spanjollja "Marca", që e shoqëron informacionin me një "infografik 24-orësh". Uruguajani shtoi një tjetër “natë të zezë” në raport me golin, në Champions, larg nga stadiumi “Camp Nou”. Me këtë të së martës, tashmë janë 16 ndeshje në transfertë, në këtë kompeticion, pa shënuar gol. 

Sulmuesi i kampionëve spanjollë nuk po kalon momentin më të mirë. Ai nuk shënon në La Liga që nga ndeshja kundër Leganes, pra ka katër javë pa e parë rrjetën e kundërshtarit. Rendimenti i tij i ulët, që kur filloi viti 2019, është i dukshëm. 

Sidoqoftë, ai mbetet ende Luis Suarez, vazhdon të shënojë gola, por “agjërimi” në Champions, sidomos në transfertë, nuk kalon pa u vënë re te Barcelona. Aq më shumë ndaj Lyon, kur nga 25 goditje, vetëm pesë prej tyre përfunduan në portën e francezëve, dhe Barcelona doli bosh.

Golat e Luis Suarez në shtëpi
 
La Liga: 56 gola në 78 ndeshje
Kupa e Mbretit: 2 gola në 8 ndeshje
Superkupa e Spanjës: 1 gol në 3 ndeshje
 Liga e Kampionëve: 6 gola në 22 ndeshje

Suárez rrëzohet përsëri në Champions, si rregullisht, kur luan larg “Camp Nou”. Ajo ndaj Lyon ishte ndeshja e tretë e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve në transfertë, ku i mungoi goli. Tottenham dhe Inter ishin dy rivalët e tjerë, kundër të cilëve Suárez e vijoi “agjërimin” me golin në këtë kompeticion. Hera e fundit, kur sulmuesi uruguajan shënoi në Champions, në transfertë, lidhet me golin në “OIimpico” të Romës, në vitin 2015. 

Plot 1500 minuta pa gol. Për fat të mirë për të, ballafaqimi me Lyon do të ketë një “raund” të dytë, që do të luhet në “Camp Nou”. Nën nxehtësinë e publikut të vet, Suarez është një lojtar tjetër. Të luajturit në shtëpi për “9” e Barcelonës është lajmi më i mirë i mundshëm për një skuadër, që ka nevojë për golashënuesin e saj më shumë se kurrë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit