Luiza Gega e jashtëzakonshme, rrëmben medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare

1 Korrik 2022
21:56
Telesport
back button

Atletja Luiza Gega fitoi mbrëmjen e sotme medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, event që po zhvillohet në Algjeri. Kjo është medalja e dytë e artë e Shqipërisë në këtë event, pas asaj në sportin e mundjes (vendi ynë ka edhe një medalje bronzi).

Gega triumfoi në garën e 3000 metrave me pengesa, disiplina e saj e preferuar, duke dhënë kohën 9’14”29. Kjo kohë është rekord kombëtar në këtë disiplinë. Gega përmirësoi kohën e mëparshme 9’15”48, që e kishte vendosur vetëm tri javë më parë në Holandë.

Një garë e jashtëzakonshme e atletes kuqezi, të cilën ajo e dominoi, pasi asnjë rivale nuk ishte në gjendje të konkurronte me të. Kjo është medalja e dytë e artë në karrierë për Gegën në Lojërat Mesdhetare, pas asaj të 4 viteve më parë, në Tarragona (Spanjë).

Luiza Gega këtë vit ka qenë e jashtëzakonshme në pistë, si në sallat e mbyllura ashtu dhe ato të hapura, duke triumfuar thuajse kudo, ose duke u ngjitur në podium. Një sezon fantastik për të, që konfirmon punën e madhe që është duke bërë bashkë me trajnerin e saj Taulant Stërmasi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit