Atletja shqiptare Luiza Gega ka siguruar kualifikimin për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa në botërorin që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë. Edhe pse kampionia shqiptare mbërriti në Hungari e dëmtuar, ajo ka arritur të bëjë një paraqitje të mirë, duke siguruar finalen.
Gega garoi në baterinë e tretë të kësaj discipline, duke u klasifikuar në vendin e tretë me kohën 9’17”71. Në finale shkonin pesë vendet e para të secilës bateri (tri të tilla), ndaj Gega arriti të sigurojë një vend për në finalen e 27 gushtit (ditën e diel).
Atletja kuqezi ishte gjatë gjithë kohës mes më të mirave, duke mos e vënë në diskutim kualifikimin edhe pse jo në formën optimale. Luiza Gega do të ketë kështu tri ditë kohë për të rikuperuar nga lodhja e dëmtimi, për t’u paraqitur në finale në formën më të mirë të mundshme.
Gega ka siguruar prej një muaji kualifikimin për në Olimpiadën “Paris 2024”, duke arritur normën olimpike në 3000 metra me pengesa.