Lukaku bashkohet me Eto’o, Ronaldo dhe Milito në klubin ekskluziv të Interit

6 Gusht 2020
10:41
Alfred Lleshi
back button

Romelu Lukaku u bashkua me një klub ekskluziv të mërkurën, ndërsa belg shënoi golin e parë të Interit në fitoren 2-0 të “Europa League” ndaj Getafe. Ky ishte goli i 30-të sezonal për sulmuesin belg, nga të cilët 23 i përkasin Serie A. Është hera e parë që Lukaku e arrin këtë shifër në karrierë (30 gola), pasi më parë kishte si kulm 27 golat e sezonit 2017-2018, si debutues te Manchester United.

Me golin e 30-të, belgu u bë sulmuesi i parë i Interit, që shënon aq shumë, që nga Samuel Eto’o në sezonin 2010-2011. Ish-sulmuesi i famshëm shënoi 37 herë vetëm në atë sezon, pasi Interi fitoi “tripletën” historike. Lukaku iu bashkua, gjithashtu, klubit ekzkluziv të Diego Militos dhe Ronaldos (brazilianit), si lojtarë që kanë shënuar 30 gola sezonalë për Interin gjatë 30 sezoneve të fundit.

Ashtu si Ronaldo, edhe Lukaku e arriti këtë pikë referimi, 30 gola, në sezonin e tij të parë me klubin zikaltër. Braziliani realizoi 34 gola në sezonin e tij të parë në “San Siro”, pasi erdhi nga Barcelona. Përveç barazimit të figurave legjendare si Eto’o, Ronaldo dhe Milito, Lukaku barazoi edhe një rekord të vendosur nga ikona e Newcastle dhe Blackburn, Alan Shearer.

Me golin e së mërkurës, belgu ka shënuar në tetë ndeshjet e tij të fundit të “Europa League”, duke barazuar rekordin serinë më të gjatë në këtë kompeticion, të Shearer më 2005. Ish-ylli i Newcastle vazhdoi të shënojë 11 herë në vetëm nëntë ndeshje. Tre golat e tij në këtë sezon (në “Europa League”) e bëjnë Lukakun lojtarin e parë të Interit, që shënon të paktën tre gola në këtë kompeticion, që nga Rodrigo Palacio më 2014-2015. Në total, ndërkombëtari belg është i përfshirë në 35 nga 104 golat e Interit, të shënuar këtë sezon, në të gjitha garat.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit