Lukaku-Ibrahimovic, miqtë-rivalë. Nga bashkëlojtarë te simbolet e derbit

17 Tetor 2020
9:17
Alfred Lleshi
back button

Aktivizimi i tyre në qendër të sulmit jep një ndjenjë sigurie për skuadrat përkatëse. Është si të keni një superhero të madh, të fuqishëm, të gatshëm për t’ju mbrojtur nga abuzimet e njerëzve të këqij. Sot, megjithatë, Romelu Lukaku dhe Zlatan Ibrahimovic do të përballen me njëri-tjetrin. Simbolet dhe njerëzit kryesorë të Interit dhe Milanit, përballë njëri-tjetrit në derbin e Madoninës.

Tashmë, tre gola në këtë fillim të sezonit për qendërsulmuesin belg, i cili në vitin e tij të parë në Serie A kishte larguar tashmë kritikat e pashmangshme dhe hezitimet që e shënjestronin pas sezonit të fundit negativ te Manchester United. Mbresëlënës edhe suedezi, i cili arriti në janar te kuqezinjtë për të ringjallur ambiciet e tyre. Ai u ndal vetëm nga Covid-19. Tonazhe të ngjashme, rrugë të ndryshme. Dhe një e kaluar e përbashkët që, jo shumë kohë më parë, i pa ata të ndanin të njëjtën dhomë zhveshjeje: atë të Manchester United.

Lukaku dhe Ibrahimovic vishnin fanellën e kuqe për vetëm gjysmë sezoni, nga vera e vitit 2017 deri në janar 2018. Pastaj, Ibra mblodhi çantat dhe u nis për në Los Angeles. Por, marrëdhënia mes të dyve lindi pothuajse menjëherë, megjithë konkurrencën e pashmangshme në fushë dhe faktin që ardhja e belgut nga Evertoni, në fakt, i mbylli dyert suedezit, i dëmtuar rëndë në gju disa muaj më parë.

“Ibrahimovic ishte gjithnjë në garë, ai gjithmonë dëshironte të luftonte për pozicionin edhe në stërvitje. Dhe kjo është diçka që më ndryshoi. Ai duhej të luftonte për të marrë atë që mori. Dhe nga kjo, unë mësova të përqendrohesha, të punoja fort, gjithashtu duke u argëtuar”.

Kështu foli disa vjet më parë Lukaku në faqen zyrtare të Manchester United. Fjalë të vërteta, të sinqerta. Megjithatë, në pjesën e parë të sezonit 2017-2018, luajtën të dy së bashku për vetëm 5 segmente loje në Premier League, plus një tjetër në Champions. Edhe jashtë fushës rivaliteti qe i madh, duke filluar nga vera e vitit 2017, kur “Djajtë e Kuq” e blenë belgun.

Pas mbërritjes së tij në Manchester, siç u zbulua disa kohë më parë nga Ibrahimovic, suedezi mori një telefonatë nga partneri i tij i ri. Lukaku donte një leje: të ishte në gjendje të vishte fanellën me numrin 9. Leja u dha nga suedezi. “Lukaku më telefonoi dhe më tha: Vëlla, a mund ta kem unë fanellën me numrin 9? Dhe unë iu përgjigja: Nuk dua të ta bëj të vështirë, thjesht dua që të ndihesh i lumtur. Pra, e gjitha është e jotja. Por unë do të marr 10”.

Dhe atë kohë, Ibrahimovic sikur vuri një bast me Lukakun. Një episod tjetër që, në tetor 2019, qendërsulmuesi i tanishëm i Milanit, e tregoi me kënaqësi për “Gazzetta dello Sport”. “Te Manchester United kemi bërë një bast: Do të të jap 50 paund për çdo pasim të duhur. Ai m’u përgjigj: Nuk e kuptoj mirë, çfarë do të më japësh? Suedezi vijoi: Asgjë, thjesht të të bëj një lojtar më të mirë! Për rekord, jo, ai kurrë nuk e pranoi bastin. Ndoshta kishte frikë se mos humbte…”

Me pak fjalë, miq-rivalë. Lukaku dhe Ibrahimovic e vlerësojnë shumë njëri-tjetrin. Sot, megjithatë, ata do të jenë në anët e kundërta të “San Siro”; njëri në zonën e Milanos, tjetri të Interit. Sepse derbi është i tillë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit