“Lukaku mezi e pret finalen, do të hakmerret ndaj Manchester United”

13 Gusht 2020
13:13
Alfred Lleshi
back button

“Romelu Lukaku do të kërkojë të hakmerret kundër Manchester United”. Kështu mendon Dimitar Berbatov, i cili thotë se sulmuesi i Interit do të donte të përballej dhe t’i mposhte “Djajtë e Kuq” në Ligën e Europës. Pas dy vitesh zhgënjyese në “Old Trafford”, belgu u transferua për 74 milionë £ tek Interi, verën e kaluar, për t’u bashkuar me ish-trajnerin e Chelsea, Antonio Conte, në “San Siro”.

Megjithë shënimin e 42 golave ​​në 96 ndeshje, Lukaku ishte subjekt i kritikave të mëdha gjatë kohës së tij me Manchester United. Ai u largua nga klubi pasi u vlerësua i tepërt për kërkesat e Ole Gunnar Solskjaer, por që prej asaj kohe ka rizbuluar formën më të mirë në Itali.

Lukaku ka shënuar 31 gola në 49 ndeshjet e para për zikaltrit. Goli i tij i fundit erdhi në fitoren 2-1 të çerekfinales së “Europa League” ndaj Bayer Leverkusen. Nëse të besuarit e Conte mposhtin Shakhtar Donetsk në gjysnmëfinale, ata mund të përballen me Manchester United në finale. Belgu, sipas Berbatov, do të përbënte një kërcënim të madh për klubin e tij të vjetër:

“Lukaku është një shqetësim për mua, ai ka shënuar shumë gola me Interin në këtë sezon. paraqitja e tij ka qenë e shkëlqyer. Gjithmonë më ka pëlqyer si lojtar. Ai është shumë i shpejtë dhe i fortë. Goli i tij të hënën ishte spektakolar. Ai është rreziku kryesor për këdo që luan kundër Interit. Një përballje me Manchester United në finalen e “Europa League”? Lukaku do të kishte rastin dhe urinë për t’u hakmarrë.

Interi, gjithashtu, ka Alexis Sanchez dhe Ashley Young, të cilët i njohin shumë mirë “Djajtë e Kuq”. Nëse përballen me Manchester United në finale, këta lojtarë do të dëshirojnë hakmarrje, për t’i treguar ish-klubit se ka gabuar me ta. Lukaku mori shumë kritika në Manchester, ndaj kishte të drejtë të largohej. Shikojeni tani, ai është fantastik me Interin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit