Magath: Nuk është e keqja te trajneri, Bayernit i duhet kjo për Champions-in

18 Maj 2019
11:48
Alfred Lleshi
back button

Felix Magath beson se trajneri i Bayern Munich, Niko Kovac, ka nevojë për më shumë lojtarë të nivelit të lartë në dispozicion, nëse synohet përmirësimi i paraqitjes së bavarezëve në Ligën e Kampionëve. Gjigantët e Bundesligës janë në krye të renditjes, në mbrojtje të titullit kampion, dhe e shohin veten në finale të “DFB-Pokal”, por u eliminuan nga Champions-i që në 1/8 finale nga Liverpool.

Përveç kësaj, e ardhmja e Kovac në “Allianz Arena” nuk është e sigurt. Magath, i cili kaloi tri vite në krye të Bayernit, duke fituar dy tituj të Bundesliga dhe dy trofe të “DFB-Pokal”, insiston se kroatit duhet t'i jepet kohë dhe një grup i ri lojtarësh për të punuar me të, veçanërisht tani që veteranët si Arjen Robben, Rafinha dhe Franck Ribery do të largohen. 

Siç raportohet nga “Goal”, Kovac do të shkarkohet nga stoli i Bayernit në fund të sezonit, edhe nëse arrin të sigurojë dy trofe sezonalë kombëtarë. "Sigurisht, ne nuk duhet ta injorojmë efektin që Niko Kovac pati në suksesin e një ekipi si Eintracht Frankfurt, – tha Magath për “Omnisport”. 

– Kovac e udhëhoqi Eintrachtin drejt fitimit të “DFB-Pokal” në finalen ndaj Bayernit, sezonin e kaluar. Unë jam i bindur se ai do të jetë në gjendje ta përfundojë këtë sezon të vështirë me bavarezët, duke fituar dy trofe. Megjithatë, Kovac do të ketë nevojë për disa lojtarë më të mirë, të dëshmuar ndërkombëtarisht, për ta rikthyer Bayernin në nivelin më të lartë të Ligës së Kampionëve, në edicionin e ardhshëm".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit