Maldini: Milanit i duhet stabilitet. Shpërthimi ndaj Ragnick? Do ta përsërisja

13 Korrik 2020
9:26
Alfred Lleshi
back button

Milani po paraqitet mjaft mirë në ndeshjet e fundit, por shumë çështje të mprehta mbeten për t’u zgjidhur, duke parë përpara. Paolo Maldini analizoi tema të ndryshme vetëm disa minuta nga nisja e ndeshjes Napoli-Milan. Duke mos evituar të ardhmen e tij dhe atë frazë drejtuar Rangnick.

Për mikrofonat e “Sky Sport”, menaxheri kuqezi shtroi më shumë se një pyetje për qëndrimin e tij: “Ne duam të arrijmë në fund të sezonit në mënyrën më të mirë. Për ta bërë këtë, duhet t’i shmangim këto fjalime. Pastaj do të shohim në fund të sezonit. Nëse drejtuesit do të komunikonin diçka për mua? Nëse ata do ta bënin këtë, unë do të ruaja qetësinë. Në këto momente duhet t’i japim stabilitet një ekipi, që ka e gjetur mjaft mirë vetveten”. Shpërthimi (fraza) kundër Rangnick, trajnerit të mundshëm të ardhshëm të Milanit, risillet në vëmendje: “Do ta përsërisja, sepse nuk është një fjali kundër një personi, por kundër një modaliteti. Nuk i drejtohej personit”.

Po çfarë pati thënë ish-kapiteni kuqezi ndaj gjermanit? Jua kujtojmë ne, me këtë rast: “Duke qenë se nuk kam folur kurrë me Rangnick, nuk e kuptoj se çfarë bazash kanë deklaratat e tij. Gjithashtu nuk i kuptoj ato, sepse pronari nuk më ka thënë kurrë asgjë për të. Megjithatë, për mendimin tim, duhen dhënë disa konsiderata. Trajneri gjerman, duke folur për një rol me fuqi të plota menaxheriale, si në aspektin sportiv, ashtu edhe atë teknik, “pushton” fushat ku profesionistët punojnë me kontrata të rregullta.

Prandaj, unë do të kisha disa këshilla për të. Përpara se të mësojë italisht, ai duhet të rishikojë konceptet e përgjithshme të respektit, pasi ka kolegë që, përkundër vështirësive të shumta të momentit, po mundohen ta mbarojnë sezonin në një mënyrë shumë profesionale, duke e vendosur të mirën e Milanit para krenarisë së tyre profesionale”.

Milani i tij, ndërkohë, ka gjetur solidaritet dhe vazhdimësi performance që kur Seria A u kthye në fushë, pas pandemisë së Covid-19: “Unë shoh 90% të seancave të stërvitjes. E dija që ky ishte një ekip i destinuar të “lulëzonte”. Ndërprerja e sezonit i dha Piolit mundësinë të bënte një minipërgatitore dhe rezultatet janë aty, i shohin të gjithë. Flamurtarët? Rebic, Ibra dhe Bennacer janë më të spikaturit. Edhe Kessié është bërë një lojtar i plotë, ka pasur një evolucion të shkëlqyeshëm, më ka befasuar shumë”.

Legjenda e “Djallit” flet me optimizëm për të ardhmen e ekipit, duke marrë parasysh edhe moshën mesatare të skuadrës: “Jam i sigurt se kjo do të jetë një bazë e shkëlqyeshme për Milanin e së ardhmes. Kush do të jetë pjesë e Milanit të ardhshëm? Ka vendime që do të merren nga të tjerët, ndoshta edhe nga vetë unë. Bennacer është i datëlindjes 1997, Leao 1999, Saelemaekers 1999. Ne morëm Ibra dhe Kjaer vetëm për t’i bërë ato të rriten.

Po të mos kisha pasur në krah Baresi dhe Tassotti në fillimet e mia, nuk do të kisha bërë ato që bëra në karrierën time. Nuk ka raste skuadrash, që kanë qenë të suksesshme vetëm me të rinjtë. Ato nuk ekzistojnë në një nivel të lartë. Ekziston vështirësia për të luajtur në “San Siro” me fanellat e Interit dhe Milanit. E kaluara ka rëndësi, tifozët të shtyjnë përpara, por fanella është e rëndë. Për fat të keq, historia është e vështirë t’iu shpjegohet fëmijëve të vegjël, që nuk janë mësuar ta bëjnë atë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit