Mallkim kuqezi para Turqisë, dëmtohet edhe Armando Sadiku

20 Mars 2019
13:18
Alfred Lleshi
back button

Kombëtarja kuqezi duket e “mallkuar” para dy ndeshjeve kualifikuese të “Euro 2020”, që do t’i luajë më 22 dhe 25 mars, respektivisht ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” dhe Andorrës, në fushën e kësaj të fundit. Armando Sadiku ka shfaqur probleme muskulare sot dhe nuk është stërvitur me grupin. 

Si të mos mjaftonte trazimi i krijuar nga lënia jashtë e portierit Thoma Strakosha, largimi nga grumbullimi i Andi Lilës dhe Egzon Binakut, refuzimi për të ardhur si “gomë rezervë” e Ermir Lenjanit, por edhe moslejimi nga klubet e tyre për t’iu bashkuar kombëtares si emergjencë e Kedi Bare dhe Rey Manaj, trajneri Christian Panucci ka marrë një lajm mjaft shqetësues të radhës. 

Sulmuesi kryesor, Armando Sadiku, ka ndier shqetësime muskulare dhe nuk ka mundur të vijojë me ritmin e të tjerëve. Për pasojë, është mbajtur nën kontroll nga stafi mjekësor dhe ka punuar veçmas. Shkalla e tij e lëndimit mbetet të sqarohet nga ekzaminimet përkatëse. 

Sikurse dihet, elbasanasi rikthehet në kombëtare pas një dëmtimi të gjatë, që e dërgoi edhe “nën thikë”, por ka luajtur ndeshjet e fundit me klubin e tij në Zvicër (322 minuta lojë, në të gjitha garat, me Lugano). 

Ndoshta ngarkesat fizike të marra nga e hëna me kuqezinjtë kanë qenë të tepërta për goleadorin e kombëtares në këto momente pas dëmtimit, nga i cili janë të gjithë sytë për këto dy kualifikuese. Mbetet të shihet si do të paraqitet situata e Sadikut në dy ditët në vazhdim, për të thënë nëse mund të luajë ndaj Turqisë, apo jo. 

Nëse ndodh më e keqja, zgjedhjet e Panuccit në këtë repart do të zvogëloheshin ndjeshëm, duke pasur parasysh sulmuesit që i mbeten në dispozicion. Me shqetësime ka ardhur në këtë grumbullim edhe Bekim Balaj, ndërsa Manaj nuk u lejua nga klubi që të vinte, pasi i shkoi ftesa “in extremis”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit