Man United “zgjohet” në të dytën, Ylli i Wolves me tripletë në 12 minuta

12 Dhjetor 2019
22:54
back button

Pas një pjese të parë të dobët e për t’u harruar, Manchester United është zgjuar në pjesën e dytë ndaj AZ Alkmaar duke shënuar plot katër gola në fitoren 4-0 në Old Trafford. Mason Greenwood ka qenë heroi i djajve me dy golat e shënuar, 18-vjeçari ka treguar edhe njëherë se është një lojtar me të ardhme të madhe përpara. Dy golat e tjerë janë shënuar nga kapiteni Ashley Young dhe Juan Mata. Me këtë fitore United siguron kreun e grupit L ndërsa Alkmaar mbetet në vend të dytë. Në ndeshjen tjetër të grupit Partizani ka mposhtur Astana-n me rezultatin 4-1.

Në ndeshjen e Wolves, e fituar 4-0 ndaj Besiktas, Diogo Jota ka hyrë në fushë në minutën e 56’ dhe në të 68-ën kishte kompletuar tripletën e tij. Një paraqitje e pabesueshme e sulmuesit të ekipit anglez që e mbyll fazën e grupeve në vendin e dytë pas Braga-s që e ka fituar ndeshjen e saj 4-2 ndaj Slovan Bratislava.

Roma ka barazuar 2-2 ndaj Wolfsberger dhe mbetet në vend të dytë të grupit J pasi Basaksehir ka mposhtur 2-1 Borussia Monchengladbach duke u ngjitur në krye.

Espanyol është mposhtur 1-0 në shtëpi nga CSKA, por ka ruajtur kreun e grupit. Ndërsa Ludogorets ka barazuar 1-1 Ferencvaros dhe mbetet në vend të dytë.

Porto ka fituar 3-2 ndaj Feyenood duke u ngjitur në vend të parë të grupit G. Rangers kanë rrezikuar në fund, por barazimi 1-1 me Young Boys i vendos në vend të dytë.

Wolfsburg ka mposhtur 1-0 St Etienne. Gjermanët e kishin siguruar vendin e dytë të grupit I.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit