Mesfushori anglez Jadon Sancho mund të transferohet te Barcelona në janar, duke lënë skuadrën e Manchester United, me të cilën ka një kontratë deri në vitin 2026. 23-vjeçari për momentin është lënë jashtë ekipit të “djajve të kuq”, për shkak të një dënimi disiplinor nga ana e trajnerit Ten Hag.
Sipas të përditshmes spanjolle “Sport”, ekipi katalanas po studion mundësinë për të marrë Sancho në formë huazimi në janar. Lojtari ka luajtur vetëm në 3 ndeshje të Premier këtë sezon dhe më pas është lënë jashtë skuadre, pas përplasjes që pati me trajnerin Erik ten Hag.
Ky i fundit ka deklaruar se lojtari duhet t’i kërkojë falje, ndaj nuk e lejon lojtarin të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit. Sancho erdhi në vitin 2021 te Manchester United, por duket se në janar do të transferohet përkohësisht te Barcelona, duke parë situatën e vështirë që po kalon në Manchester.