Manchester United “verbohet” mbas Solskjaer, plan shpëtimi në janar

2 Dhjetor 2019
12:04
Alfred Lleshi
back button

Manchester United nuk ka plan të heqë dorë nga Ole Gunnar Solskjaer. Klubi do të mendohet mirë, nëse do të ndërmarrë veprime në këtë drejtim, vetëm nëse situata bëhet katastrofike. “Djajtë e Kuq” kanë vetëm 4 fitore në Premier League, në 14 ndeshjet e këtij sezoni, ndërsa do të përballen me dy ndeshjet e tyre më të vështira këtë javë; së pari kundër Tottenham, në shtëpi (të mërkurën), pastaj në transfertë, derbi ndaj Manchester City (të shtunën).

Sidoqoftë, vetëm rezultatet jashtëzakonisht të këqija do ta bënin Ed Woodward të rivlerësonte pozicionin e trajnerit norvegjez. Nuk ka asnjë sugjerim se ai po kërkon aktualisht zëvendësues të mundshëm, megjithë disponueshmërinë e Mauricio Pochettino. Edhe lojtarët nuk kanë hequr dorë nga trajneri i tyre. Drejtuesit janë të bindur për aftësitë e Solskjaer, ata mendojnë se norvegjezi do ta kthejë skuadrën aty ku duhet me planin afatmesëm që ka nisur. Kjo do të thotë se rezultatet në një afat të shkurtër nuk janë vendimtare për të ardhmen e Solskjaer në “Old Trafford”. 

Aktualisht i nënti në Premier League dhe me dy të tretat e sezonit të mbetura për t’u luajtur, Manchester United është vetëm tetë pikë larg sonës “Champions”. Por, edhe në të kundërt, e sheh veten vetëm gjashtë pikë nga zona e mbijetesës në Premier League. Nëse Solskjaer do të largohej nga pozicioni i tij, atëherë ish-trajneri i Tottenham, Pochettino, do të ishte kandidati potencial. Argjentinasi u takua me Sir Alex Ferguson më parë, kur ishte një vend i lirë në “Old Trafford”. Sidoqoftë, as shkarkimi i tij nga “Spurs” dhe as largimi i Unai Emery nga Arsenali, me klubet e Londrës në një pozicion të ngjashëm në Premier League, nuk e kanë inkurajuar Woodward të rishikojë planet e tij për stolin. 

Përkundrazi, ai ka ndërmend të bëjë merkato në janar, si mbështetje për Solskjaer. Në listën e dëshirave ishte Mario Mandzukic, i cili është vënë në dyshim nga Erling Haaland i Red Bull Salzburg, që ka dalë si një objektiv serioz për fundin e sezonit. Po ashtu, Declan Rice dhe Jadon Sancho mund të arrijnë në janar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit