Mancini sheh të ardhme të madhe tek Italia: Barella më ngjan si Tardelli, kam një Pogba në ekip

12 Janar 2019
14:13
back button

Vitet e fundit kanë qenë të zeza për kombëtaren italiane, por trajneri Roberto Mancini është optimist se gjërat po ndryshojnë, duke u bazuar tek emra si Barella, Zaniolo, Chiesa apo Bernardini. Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ish-trajneri i Interit prek tema të ndryshme.

"Deri tani ka qenë kampionati i Cristiano Ronaldos, i cili e ka përmirësuar Juven, si dhe kampionati i Barellas, i cili i ngjan Tardellit. Ka cilësi, teknikë, gjuajtje, nuk e humbet kurrë topin, është i zoti në ajër, nuk dorëzohet kurrë, depërton mirë dhe thjesht i duhet të shënojë pak më shumë. Edhe pse i ri dhe me pak ndeshje në Serinë A, që tani po tregon personalitet të jashtëzakonshëm. E duan shumë klube, është i ri dhe ka hapësira të mëdha përmirësimi, ndaj i duhet të shkojë në një klub të madh. Megjithatë, duhet të shkojë vetëm nëse i garantojnë vazhdimësi në aktivizim", shprehet Mancini, i cili ka fjalë të mëdha edhe për një talent tjetër që po habit këtë sezon.

"Zaniolo është një lojtar që mund të bëjë gjithçka në fushë, si Pogba. Bernardeschi? Ka pasur disa probleme fizike, por është përmirësuar shumë dhe do të gjejë hapësirë. Chiesa? Është normale ta ulë pak ritmin, presionin mbi të është shumë i madh, por duhet të shënojë më shumë, është e rëndësishme për rolin e tij. Mua më pëlqen në të dy krahët e sulmit, duhet të jetë më i saktë në gjuajtje. De Sciglio? Është përmirësuar shumë dhe në aspektin e kujdesit në fushë ka bërë një kapërcim cilësor. Lazzari? Luajti një ndeshje shumë të vështirë ndaj Portugalisë dhe u paraqit shumë mirë në fazën sulmuese, diçka më pak në atë mbrojtëse, por është ende në planet e mia. Balotelli? Duhet të luajë dhe të shënojë, kaq".

Mancini flet edhe për momentin historik të futbollit italian: "Nuk kemi më numra 10 si Rivera, Antognoni, Baggio, Totti e Del Piero. Të shpresojmë që do dalin në pah deri në Botërorin e ardhshëm: ndoshta Riccardi i Romës, apo Vido i Perugias".

"Ëndrra? Sacchi e ndryshoi futbollin, por ishte diçka e rrallë, nga ato që ndodh çdo 20-30 vjet. Ne po ndjekim atë linjë, edhe pse pa yje: një skuadër që atë luajë mirë dhe të sulmojë me vazhdimësi, duke shpresuar që pas 20 vitesh të flitet gjithashtu për inovacion në futboll. Do doja që Italia ime të shënojë pak më shumë, sepse si lojë po prodhon shumë. Jam i lumtur që drejtoj Italinë, është diçka më e madhe sesa të grumbullohesh me kombëtaren kur je ende fëmijë. Ëndrra ime është të fitoj Europian e Botëror rresht, pse mos ta bëjë edhe Italia?".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit