Mancini: Unë si Lippi? Do të doja ta barazoja atë në… Botërorin e Katarit

1 Prill 2021
12:58
Alfred Lleshi
back button

Ai dëshironte një Itali me pikë të plota, pas tri kualifikueseve të para dhe ia arriti. Për këtë është mjaft i kënaqur. Roberto Mancini, i barazoi Marcello Lippi me 25 rezultate pozitive radhazi, kthehet me tri pikët në xhep edhe nga Lituania, të cilën e mundi 2-0 falë golave ​​të Sensi dhe Immobile. Duke lënë pas Zvicrën (e cila ka një ndeshje më pak), Italia pozicionohet në krye të grupit C. Shkurtimisht, me 9 pikë në tri ndeshjet e para kualifikuese, udhëtimi drejt “Katar 2022” nuk mund të kishte filluar më mirë.

Mancini shprehet kështu: “Ishte ndeshja e tretë në shtatë ditë, i ndryshuam të gjithë lojtarët, por e dinim që do të kishim disa vështirësi, duke marrë parasysh edhe fushën e vështirë. Fitorja ishte gjëja më e rëndësishme. Nëse llogarisim atë që krijuam, duhej të kishim vuajtur më pak. Tri ditë më parë, Zvicra në shtëpi fitoi me vuajtje ndaj Lituanisë, çdo ndeshje është e vështirë. Djemtë nuk mund të kenë të njëjtën shkëlqim përherë. Në raste të caktuara rrezikuam, nuk ishim vendosur shumë mirë në fushë. Fizikisht, djemtë nuk janë në majë, por i rëndësishëm mbetet karakteri”.

Një zgjidhje për të ndihmuar trajnerët në Kampionatin Europian do të ishte zgjerimi i grupit të lojtarëve në dispozicion: “Unë nuk e di nëse UEFA do të na dëgjojë. Mendoj se mund të jetë një vlerësim i drejtë prania e 26 lojtarëve në dispozicion për Europianin e verës, nisur nga situata që po kalojmë, kur mund të infektohet cilido me koronavirus dhe duhet izoluar pastaj. Zëvendësuesit e mundshëm, që mund t’i marrësh pastaj, kur gjëja të ndodhë, do të ishin me pushime…”

Në fund ai komentoi për Lippi, rekordin e të cilit e barazoi mbrëmë, me 25 ndeshje radhazi pa humbje: “Unë do të isha i lumtur ta arrija atë në dhjetor 2022 (qesh), në Katar. Tani për tani mund të jem i lumtur, sepse po kryesojmë grupin, por Europiani dhe Botërori mbeten qëllime në vetvete”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit