Manolas i kujton Barçës përmbysjen në “Olimpico”: Totti më tha të provoj sërish

6 Gusht 2020
14:04
Alfred Lleshi
back button

Kostas Manolas dëshiron t’i japë Barcelonës një zhgënjim tjetër. Një ditë më parë, Francesco Totti vizitoi qytetin sportiv të Napolit dhe i tha ish-shokut të tij të skuadrës: “Kostas, provo përsëri”. Me këtë rast, ai i kujtoi grekut përmbysjen epike të Romës kundër katalanasve. Një makth, që ende i përndjek këta të fundit, bashkë me “pokerin” e turpit në “Anfield”, sezonin e kaluar.

Mbrojtësi i Napolit, në një intervistë për “La Repubblica”, iu referua përmbysjes me Romën, duke hequr paralele me sfidën e së shtunën: “1-1 është një rezultat, që shkon në favor të Barçës, por në ndeshjen e parë ne merituam të fitonim. Totti më kujtoi përmbysjen e Romës, kur isha lojtar i saj, duke më thënë që të provoj sërish. Ky “precedent” italian është një arsye më shumë për të shkuar atje dhe provuar”.

Sipas grekut, 4-1 i dy viteve më parë në “Camp Nou”, me fanellën e Romës, ishte një rezultat gënjyes, ndërsa përmbysja në kthim erdhi si pasojë: “Ai 3-0 ishte një emocion i jashtëzakonshëm dhe i paharrueshëm. Goli im erdhi falë punës së të gjithë ekipit. Të gjithë e shtymë topin midis shtyllave, së bashku, plot tri herë”. Për Manolas, Messi është më i miri në botë dhe mund të ndalet vetëm “si ekip, pa pasur frikë nga talenti i tij”.

Kanë kaluar më shumë se 160 ditë nga ndeshja e parë, por Manolas nuk ka frikë nga befasitë: “Vlerat e ekipit nuk kanë ndryshuar. Unë jam optimist, nuk kam frikë. Ne duam t’i befasojmë katalanasit, ata do të kenë shumë presion”. Dhe nëse në radhët e Setién është rikthyer Luis Suárez, mbrojtësi qendror grek kujtoi se “për t’u marrë me të kemi Koulibaly”. Ndërsa për Insigne shtoi: “Le të shpresojmë se ai do të jetë gati. Për ne Lorenzo është thelbësor”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit