Maradona, skuadra… është pothuajse gati: shfaqet fëmija i tij i dhjetë

22 Mars 2019
15:12
Alfred Lleshi
back button

Dhe me këtë…, mund të bëhen dhjetë fëmijët biologjikë. Numër i përsosur, kur flasim për Diego Armando Maradonën, “10” e famshme të Argjentinës. Sidoqoftë, këtë herë nuk përmendet bluza e “Pibe d’Oro”, por numri i fëmijëve të tij, të shpërndarë nëpër botë. Kaq shumë, sa për të mbajtur llogarinë është e nevojshme një përmbledhje e vogël. 

Pesë janë fëmijët e njohur, katër të tjerë që kërkojnë atësinë e tij në Kubë. Dhe për t’u bërë dhjetë, nuk mund të ishte ndryshe, duhej të dilte edhe një argjentinas. Santiago Lara është 18 vjeç dhe, duke marrë parasysh se Maradona po punon për të legjitimuar të gjithë pasardhësit e tij, shfaqet vetë publikisht. 

Sipas “AS”, kjo histori daton që nga viti 2016. Në atë kohë, vetëm 15 vjeç, Lara e tregoi "sekretin" e tij për programin e famshëm televiziv "Nosotros a la mañana". Aty shpjegoi se mund të jetë biri i Maradonës: "Unë jam Santiago Lara, 15 vjeç. Për mua, babai im gjithmonë do të jetë Marcelo Lara, por nga ajo që unë kuptoj dhe ato që më kanë thënë, babai im biologjik mund të jetë Diego Maradona". 

Pra, deklaratat e tilla u bënë pak vite më parë, por ato bëhen akoma më aktuale falë punës së avokatit Morla, një mik i madh i Maradonës, i cili kohët e fundit shpjegoi se si “Dora e Zotit” synon të legjitimojë të gjithë fëmijët e tij, ende të panjohur zyrtarisht. 

Vetë Morla konfirmoi se mësoi për ekzistencën e Santiago përmes një gazetari argjentinas, Luis Ventura: "Kjo i është thënë Maradonës edhe nga Claudia Villafañe (ish-gruaja)". 

Prandaj, kontaktet me Maradonën kanë nisur, siç thotë avokati i djalit: "Ne po punojmë për një marrëveshje, për një njohje ligjore. Tani për tani nuk mund të them asgjë tjetër, në respect të Santiago, Maradonës dhe avokatit Morla". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit