“Marca”, e pamëshirshme me CR7. I kujton 6 çmimet e munguara te Juventusi

3 Qershor 2020
12:15
Alfred Lleshi

Real Madridi dhe Cristiano Ronaldo i ndanë rrugët e tyre gati dy vite më parë. Më 11 korrik 2018, transferimi i tij te Juventus u bë zyrtar. Është folur mjaft për atë që të bardhët humbën me largimin e kryegolashënuesit të tyre në histori, por realiteti është se edhe “palmaresi” i CR7, gjithashtu, ka humbur shumë, veçanërisht në titujt individualë. Portugezi ka fituar çmime të shumta me fanellën e bardhë, siç është edhe “Pichichi” (golashënuesi më i mirë i La Liga-s). Këtë çmim nuk e mori dot në Itali, në sezonin e parë si bardhezi, vështirë ta bëjë të vetin edhe në të dytin, sezonin aktual.

Këto llogaria ia kujton “Marca”, e cila shkruan në analizën e saj se “të gjithë titujt kanë më shumë rëndësi dhe impakt më të madh në të gjithë botën, kur vesh fanellën e bardhë”. Shkurt e shkoqur, prtestigjiozja spanjolle, shumë afër klubit galaktik, i kujton yllit portugez gjashtë çmimet e shkëlqyera individuale, që i mungojnë prej momentit kur zgjodhi Juventusin: “Pichichi”, “Topi i Artë”, “The Best Fifa”, “The Best UEFA”, “Këpuca e Artë”, golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve. Luzitani 35-vjeçar nuk e ka fituar asnjërin nga këto çmime gjatë dy viteve në Torino, që kanë ikur shumë shpejt. Ai ka ngushëllimin se është shpallur në vitin 2019 lojtari më i mirë në Serie A, përveç titullit dhe Superkupës Italiane.

Kujtojmë se CR7 e ka fituar pesë herë “Topin e Artë”, një më pak se Messi. Si “The Best FIFA” ka triumfuar dy herë me Real Madridin, më 2016 dhe 2017. Sa i takon “Këpucës së Artë”, këtë sezon Lewandowski është i paarritshëm. Ai ka shënuar 29 gola me Bayernin, që llogariten ndryshe 58 pikë. Ronaldo aktualisht është i pesti, me 21 gola (42 pikë). Këtë çmim, të golashënuesit më të mirë sezonal në Europë, e fitoi dy herë radhazi në “Bernabeu”; 2013-2014 dhe 2014-2015. Leo Messi ka dominuar në këtë drejtim në tri vitet e fundit. Në sezonin e tij të parë me Juventusin, portugezi nuk u fut as në tri vendet e para.

Në total, Ronaldo është golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve. Një rekord, që e arriti sa ishte në Madrid. Për momentin ka një diferencë të mirë golash me Messin: 128 me 114. Por, në vitin e tij të parë me Juventusin, ai është shumë poshtë rekordeve të tij në Madrid, me 6 gola. Në këtë afat kohor, Messi është golashënuesi më i mire, me 12 gola. Si pjesë e Real Madridit, ai përfundoi gjashtë vite si golashënuesi më i mirë i Champions-it, plus një sezon tjetër me Manchester United. Ai e ka rekordin e më shumë golave në një edicion të këtij kompeticioni, me 17 gola, në 2013-2014.

“The Best UEFA” e ka fituar dy vite radhazi, sa luante për të bardhët; 2016 dhe 2017. Poo kështu, këtë çmim e ka bërë të vetin edhe në vitin 2014, po me galaktikët. Çmimin “Pichichi” (golashënuesit më të mirë të La Liga-s) e ka arritur tri herë me Real Madridin. Me Juventusin jo vetëm që nuk mundi ta fitojë atë në sezonin e parë, por doli i katërti, me 21 gola, pas 26 të Fabio Quagliarella. Edhe në këtë sezon nuk e ka aspak të lehtë, sepse Immobile kryeson me 27 gola, ndërsa portugezi është i dyti, me 21 gola. Në dispozicion ka edhe 12 javë kampionat për ta kapërcyer bomberin e Lazio.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit