Marcelo drejt Juventusit; “Tuttosport” zbulon prapaskenat e një shkëmbimi

23 Janar 2019
9:53
Alfred Lleshi
back button

Nga Madridi në Torino, me biletë vajtje. Ky është trendi i merkatos, që duket se nuk do të ndalet vetëm me transferimin e bujshëm të Cristiano Ronaldos, verën e kaluar. Ky aks mund të bëhet shumë i nxehtë, me një tjetër personazh të rëndësishëm: Marcelo. Mbrojtësi brazilian i “Los Blancos” duket se ka vendosur të shkojë te Juventusi. Dhe për këtë, po e shtyn Real Madridin që ta shesë. 

Siç raportohet sot që në faqe të parë të “Tuttosport”, një gazetë që është shumë afër klubit bardhezi, Marcelo i ka kërkuar zyrtarisht Real Madridit ta lejojë të ballafaqohet me ofertën e kampionëve të Italisë. Vendimtar në këtë drejtim është miqësia me CR7. Ky i fundit ka bindur fillimisht “Zonjën e Vjetër” për të investuar në këtë drejtim, pastaj ia ka dalë ta bëjë këtë edhe me mbrojtësin anësor.

Bardhezinjtë duket se dëshirojnë ta përgatisin sulmin për brazilianin pa u vonuar, duke parë se në dy ndeshjet e fundit të La Liga-s ka mbetur në stol dhe po përjeton një situatë pakënaqësie të përgjithshme ndaj tij.

Real Madridi e sheh Marcelon të shkëputur nga projekti i ri, pas epokës “Zidane”, dhe është duke shqyrtuar trashëgimtarët e mundshëm të rinj. Në mesin e tyre mund të jetë edhe Alex Sandro, si pjesë e një shkëmbimi me Juventusin. Duket qartë se shkuarja e Marcelo në Torino e nxjerr automatikisht në shitje numrin 12 aktual të kampionëve të Serie A.

Tani, më shumë se kurrë, Marcelo është një objektiv i mundshëm për Juventusin. Një goditje e re, “made in Real Madrid”. “Pazari” mes këtyre dy klubeve vazhdon…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit