Marotta kënaq Conte, përforcimi i parë është një kampion bote

8 Nëntor 2019
10:22
Alfred Lleshi
back button

Shpërthimi i Antonio Conte, pas humbjes në mesjavë në Ligën e Kampionëve, kundër Borussia Dortmund, nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Në të vërtetë, Interi është angazhuar menjëherë në merkato, në kërkim të përforcimeve që i shërbejnë trajnerit për të arritur synimet sezonale. Para së gjithash sulmi, ku, me dëmtimin e Sanchez, ekziston një nevojë absolute për një lojtar, që t’i japë pak frymëmarrje dyshes Lukaku-Lautaro. Këta të fundit, në këtë pjesë të sezonit janë detyruar të punojnë “jashtë orarit”, pasi nuk ka kush t’i zëvendësojë. 

Emri në krye të listës së drejtuesve zikaltër është ai i Olivier Giroud, të cilit i skadon kontrata me Chelsea dhe është gati të transferohet në Milano. Sulmuesi francez fiton shumë, rreth 8 milionë euro neto në sezon, por i ka dhënë Interit dritë jeshile, bashkë me gatishmërinë e tij për të negociuar transferimin. Ai do të ishte lojtari ideal për Conte. Kjo, për shkak se ka një përvojë të madhe ndërkombëtare, gjë për të cilën u ankua trajneri zikaltër në Dortmund. Po ashtu, kampioni i botës shënon në vazhdimësi. 

Francezi duket i freskët fizikisht, sepse është përdorur me kohë të pjesshme në dy sezonet e fundit. Por, Giroud është vetëm i pari nga lojtarët e ndjekur nga Marotta. Me sulmuesin në fjalë mund të mbyllet lehtë marrëveshja, duke e lumturuar me të vërtetë Antonio Conte. Më tej, Interit i duhet një përpjekje shtesë në mesfushë, ku Vidal dhe Rakitic përfaqësojnë dy elementë të shumëpritur. 

Vëmendje ka edhe për Kulusevski, protagonist i një fillimi të rëndësishëm të sezonit, por shumë e vështirë për t’u larguar nga Atalanta, e cila i zotëron kartonin. Kostoja e operacionit për të, ndër të tjera është jo e papërfillshme, rreth 30 milionë euro. Po ashtu, Darmian dhe Florenzi janë lojtarët nën “lupën” e Conte dhe Marotta.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit