Marotta “skanon” debatet e vështira me Conte: Janë pjesë e lojës…

25 Shtator 2020
15:24
Alfred Lleshi
back button

“Ky takim shënon fillimin e sezonit të ri, të cilin unë do ta përcaktoja si anormal për kalendarin me të cilin do të përballemi”. Krahas Antonio Conte, në konferencë për shtyp doli edhe CEO i Interit, Giuseppe Marotta, në prag të ndeshjes inauguruese të Serie A, sezoni i ri, ndaj Fiorentinës. “Fillimi është shumë i ndryshëm, – vazhdon ish-menaxheri i Juventusit, – gjithashtu krahasuar me sezonin e kaluar. Faleminderit të gjithë mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë, të cilët me profesionalizmin e tyre kanë ndihmuar për ta bërë këtë pandemi më pak të vështirë.

Koronavirus sigurisht që ka ndikuar në të gjitha aktivitetet sipërmarrëse dhe rrezikoi shëndetin e familjeve tona. Ka lënë një gjurmë vërtet dramatike. Futbolli ishte gati të rrëzohej, por u ngrit përsëri. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Sezoni i ri fillon pak pas përfundimit të të kaluarit. Falënderoj të gjithë ekipin dhe stafin për angazhimin në një klimë të veçantë izolimi. Ka qenë vërtet e vështirë. I falënderoj të gjithë dhe them se futbolli mund të jetë elementi, që relakson njerëzit në këtë kohë pandemie”.

Lidhur me merkaton, Marotta shtoi: “Interi do t’i shfrytëzojë mundësitë me mençuri. Në vend që të thellohemi në tregun e transferimeve, i cili përfundon më 5 tetor, detyra e menaxhmentit është të ndërtojë ekipin më të fortë të mundshëm, gjithmonë duke respektuar ekuilibrat ekonomikë, financiarë dhe patrimonialë, bazuar në objektivat e klubit. Pandemia ka sjellë shumë hidhërim, edhe në këndvështrimin e sektorit tonë industrial, sepse kështu duhet të përcaktohen klubet profesionale.

Kemi pasur probleme ekonomike. Të gjitha klubet synojnë qëndrueshmërinë financiare, është normale që asnjë ekip europian nuk ka bërë investime të veçanta. Edhe ne, në një mënyrë shumë të kujdesshme, po veprojmë në këtë mënyrë. Po i kapim mundësitë, por është e qartë se do të bëjmë gjithçka me mençuri. Politika e përforcimit ka pasur një moment ngadalësimi, për shkak të kësaj logjike. Sot, për aksionarët dhe presidentët, është e vështirë të gjesh një ekuilibër: kostot janë të pandryshuara, por janë ulur të ardhurat”.

Një vlerësim edhe për punën e trajnerit: “Conte ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ne i dinim aftësitë e tij, veçanërisht karakteristikat që ka. Conte ia dedikon ditët e jetës së tij këtij aktiviteti, ndaj mund të jetë vetëm i dobishëm. Kemi pasur rritje në të gjithë sektorët, asgjë nuk është anashkaluar. Koncepti i besueshmërisë, i cili na ka çuar përpara, krijon unitetin e qëllimeve.

Ne duam të jemi afër trajnerit, për ta ndihmuar atë nga pikëpamja organizative, për të përmirësuar infrastrukturën. Mbeta shumë i kënaqur javën e kaluar, kur Conte u përkushtu vetë për të analizuar barin e “Pinetina”. Me këtë lloj meraku për gjërat, duke përmirësuar, ne mund ta arrijmë qëllimin. Cili është ai? Për një klub si Interi, gjithmonë duhet qëndrueshmëri, shkuarja në Champions, duke përfunduar në katër të parët”.

Një mendim edhe për debatet e vështira me trajnerin Conte, gjatë sezonit të kaluar: “Conte e përsëriti konceptin e besueshmërisë disa herë, që do të thotë edhe profesionalizëm. Këto cilësi tek Interi nuk do të dështojnë kurrë. Gjatë vitit, Interi demonstroi sjelljen e profesionistëve të vet. Debatet janë bërë gjithmonë me qëllim të përmirësimit të vetvetes. Shpresoj që kësi përballjesh mund të ndodhin edhe këtë sezon. Kjo do të thotë se ka dashuri, dëshirë për t’u përmirësuar dhe rritur. Fakti që këto debate janë të vështira është pjesë e dinamikës së lojës. Ne jemi pjesë e sportit, jemi mësuar të përballemi. Të gjitha mosmarrëveshjet janë sqaruar, kanë pasur fund pozitiv, duhet ta pranojmë këtë.

Unë do të habitesha nëse do të gjeja një Conte tjetër nga ai që pashë. E vlerësoj atë për faktet që ka treguar. Ne kemi punuar së bashku për pesë vite. Nuk ka dualizëm midis tij dhe meje, punojmë për Interin, për të marrë rezultate të rëndësishme. Të rëndësishme jo vetëm për rezultatet teknike të arritura, por edhe për rritjen ekonomike. Do të ketë gjithashtu momente tensioni këtë vit, por është pjesë e lojës. Nëse do të relaksoheshim, nuk do të kishte më adrenalinë, çka çon në konkurrencë dhe vlera. E përsëris: të gjithë përbërësit e klubit punojnë për të njëjtin qëllim: Interi të rritet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit