Martini flet si kampion: Faleminderit Kokëdhima, na karikove pa fund

27 Maj 2021
9:15
Alfred Lleshi

Superiorja mbaroi, me Teutën kampione. Falë golaverazhit më të mirë (dje shënoi 6 gola ndaj fierakëve), por me pikë të barabarta me Vllazninë, skuadra durrsake ia doli të kthente titullin në qytetin bregdetar pas 27 vitesh. Trajneri Edi Martini u shpreh kështu pas këtij suksesi të madh:

Një vit i gjatë, stresant, muajin e fundit më është dukur vetja sikur të isha i intubuar në  spitalin ‘Shefqet Ndroqi’. Ishte një kampionat i çmendur dhe stres i jashtëzakonshëm. Shyqyr Zotit u kurorëzua me titullin kampion.

Pas çdo humbjeje apo barazimi, ne kemi dalë shumë më të fortë në ndeshjet pasardhëse. Kjo është forca e ekipit, që e ka treguar edhe në sezonin e kaluar. Kemi qenë një familje, shumë të lidhur me njëri-tjetrin, edhe pse ndoshta nuk kemi cilësinë e skuadrave të tjera.

Kemi eksperiencë dhe këta djem janë kampionë Shqipërie. Gëzim shtesë, fakti që Bregu është shpallur kryegolashënues. Më bëhet qejfi për të, është një sportist dhe djalë i shkëlqyer.

Pengje? Kanë qenë disa momente të vështira, ka qenë një kampionat i çmendur. Kam qenë shumë i mërzitur pas eliminimit nga Kupa me Skënderbeun, por edhe humbja 0-2 ndaj Tiranës këtu në Durrës. Edhe ndeshja e fundit me Partizanin ishte e tillë. Kisha kohë pa provuar këto lloj emocionesh, pozitive apo negative.

Unë do shkoj në Shkodër për të parë finalen e Kupës, më bëhet zemra mal nëse do të fitojë Vllaznia. Nesër do të mbyll telefonin, do pushoj disa ditë. Nuk më ka rënë fare ndërmend të flas me presidentin për të ardhmen.

Jam i qetë, jam krenar për të gjithë. Kam nevojë për pushime, të them të drejtën. Ndjeva frikë pas golit të Apolonisë. Më bëri përshtypje, zoti Kokëdhima kishte bërë mbledhje, shumëzime dhe pjesëtime me skuadrën. Në javën e fundit e gjeti?!

E dija se do e fitoja ndeshjen, por nuk mjaftonte një gol, ky është shkaku pse kam qenë në siklet. Zoti Kokëdhima e do shumë Shkodrën, na karikoi pa masë. Djemtë, por edhe qyteti e tifozët kishin një inat ndaj zoti Kokëdhima. I them faleminderit se na karikoi.

Dedikim për titullin? Familja ime është ajo që ka mbajtur suportin dhe sikletin më të madh. Edhe babai e nëna kanë qenë në siklet. Ua kushtoj familjarëve dhe tifozëve të Durrësit, që më kanë respektuar gjithmonë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit