Martini nuk fshihet: Ta sigurojmë kualifikimin qysh nesër në shtëpi

21 Korrik 2021
15:49
Alfred Lleshi
back button

Teuta do të presë nesër në “Niko Dovana” kundërshtarin e radhës në Kupat e Europës. Pasi dështoi në Champions, skuadra durrsake do ta provojë fatin në turin e dytë të “Conferencë League”. Shorti e ka vendosur përballë Inter Escalades. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Edi Martini, në konferencën për shtyp analizoi kundërshtarin nga Andorra dhe shanset e të tijve për kualifikim.

SITUATA – “Situata është mjaft e mirë. Ndeshja e parë me Tiraspolin këtu na vuri në dukje disa probleme që u munduam t’i riparojmë në kthim dhe gjatë javës stërvitore këtu. Gjendja është e mirë; përveç Lorenzo Vilës që ka dëmtim, pjesa tjetër është në gjendje optimale”.

RIVALI – “E njohim, falë atyre dy ndeshjeve që ka bërë në Shqipëri. I kemi pare si luajnë. Duhet të bëjmë atë që dimë më mirë, të mos merremi shumë më mënyrën e lojës së kundërshtarit. Kur them lojën tone kam parasysh mënyrën e daljes në sulm apo përqendrimit maksimal që duhet të kemi në fushë. Shpresoj t’ia dalim”.

FORMACIONI – “Pothuajse 90% është i fiksuar formacioni, por mund të ketë ndonjë ndryshim deri nesër. Vila na ka nxjerrë disa probleme me mungesën e tij. Megjithatë, edhe lojtarët e tjerë do mundohen të bëjnë më të mirën, vlejnë shumë edhe ata që mund të futen si zëvendësues. Shpresojmë ta rregullojmë, që të mos ndihet mungesa e tij”.

KUALIFIKIMI – “Në letër kemi shumë shanse për t’u kualifikuar, por fusha është gjë tjetër. Pavarësisht cilësive tona dhe të kundërshtarit, duhet të jemi 100% të mobilizuar në fushë. Është një ndeshje e fortë, e luftuar, të gjithë dinë të mbrojnë dhe të kundërsulmojnë mirë. Shanset janë më tepër për ne, por shpirti i garës bën diferencën. Do doja t’i mbyllnim llogaritë e kualifikimit që në ndeshjen e parë, edhe pse janë dy sfida për t’u luajtur. Të bëjmë sa më mirë në ndeshjen e parë, por nuk duhet të mendojmë që mund t’ia dalim qysh në shtëpi. Parashikoj dy ndeshje të vështira”.

TIFOZËT – “Ne kemi treguar gjatë gjithë vitit profesionalizëm, pavarësisht se nuk kemi pasur mbështetje për shkak të Covid-it. Shpresoj që tifozët të jenë sa më të shumtë nesër, pasi realisht kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Ishalla ua shpërblejmë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit