Masat e sigurisë, ja çfarë vendosi gjykata për drejtuesit e arrestuar të Kamzës

6 Mars 2019
14:57
Alfred Lleshi

Dhuna e shfaqur në fund të ndeshjes Kamza-Laçi 1-1 ka marrë tashmë dënimet përkatëse nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së. Zbritje në Kategorinë e Dytë sezonin e ardhshëm, përjashtim nga kampionati aktual dhe fitore me rezultatin 3-0 e të gjitha skuadrave, që duhet të luanin me të, në vazhdim të pjesës së mbetur të Superiores. 

Pezullime e gjoba të majme për drejtuesit, duke nisur nga presidenti Naim Qarri. Pothuajse në të njëjtën kohë, “togat e zeza” ka dhënë edhe vendimet përkatëse, në seancën e masës së sigurisë për të arrestuarit: Naim Qarri, Andi Matraxhiu dhe Albert Bana. Për presidentin Qarri është vendosur arrest shtëpie, ndërsa për dy drejtuesit e tjerë, drejtorin sportiv dhe shefin e klubit, përfshirë edhe një tifoz të arrestuar, detyrim paraqitjeje.

Ja edhe dënimet e Komisionit të Disiplinës për tre drejtuesit në fjalë të Kamzës:

Zyrtari i FK “Kamza”, Naim Qarri, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes, duke e goditur me grusht, në bazë të nenit 49/2/b) dhe 49/3 të KDS, dënohet me 36 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik, si dhe gjobë në masën 100.000 lekë. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e Republikës së Shqipërisë, si dhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës, apo stolat e rezervave.

Zyrtari i FK “Kamza”, Andi Matraxhiu, për sjellje të gabuar ndaj zyrtarit të ndeshjes në mënyrë të përsëritur dhe nxitje të urrejtjes e akteve të dhunës, në bazë të nenit 49/2/b) dhe 52 të KDS, dënohet me 36 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik si dhe gjobë në masën 100.000 lekë. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e Republikës së Shqipërisë, si dhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës, apo stolat e rezervave.

Zyrtari i FK “Kamza”, Albert Bana, për sjellje të gabuar ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 49/2/b) dhe 49/3 të KDS, dënohet me 18 muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik, si dhe gjobë në masën 100.000 lekë. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e Republikës së Shqipërisë, si dhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës, apo stolat e rezervave.

Njoftimi i policisë për arrestimet e drejtuesve të Kamzës, 3 mars 2018:

“Policia arreston në flagrancë 4 shtetas për ngjarjen e ndodhur në ndeshjen e futbollit Kamza – Laçi. Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr 5, falë reagimit të shpejtë dhe në kohë bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasve: – N.Q., President i Klubit Kamëz; – A.M., Drejtor Sportiv i Klubit Kamëz; – A.B., Shefi i Klubit Sportiv Kamëz; – E.Gj., tifoz. 

Gjithashtu nga verifikimet e bëra rezulton se si autorë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit të ndeshjes, dyshojet se janë dhe shtetasit: B.Q., A.Q., A.Q. dhe K.Q., tifozë, të cilët janë shpallur në kërkim policor. 

Arrestimi i 4 shtetasve si dhe shpallja në kërkim e 4 të tjerëve u bë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike". Më datë 03.03.2019, rreth orës 14:00 është zhvilluar ndeshja e futbollit Kamza – Laçi. Këtë ndeshje, Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë nuk e ka marrë përsipër, pasi nuk janë zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë, sipas përcaktimeve të ligjit 79/2017 datë 27.04.2017 “Për Sportin”. 

Megjithatë, Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë, për sigurimin e rendit e sigurisë publike jashtë ambienteve të stadiumit, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, hartoi plan masash. Kjo ndeshje është marrë përsipër për sigurimin nga SH.R.S.F. “Oktapus 1 Security”, e cila ka qenë në stadium me 12 efektivë të saj. 

Në përfundim të kësaj ndeshjeje, një punonjës i SH.R.S.F., i cili ishte në hyrjen kryesore të stadiumit, hapi portën dhe kërkoi ndihmën e policisë, pasi disa tifozë kishin hyrë në fushë dhe kishin goditur arbitrin dhe punonjësit e SH.R.S.F-së. Pas këtij njoftimi, shërbimet e planizuara me shërbim, sipas urdhrit, janë futur në ambientet e stadiumit, duke bërë të mundur marrjen në mbrojtje të gjyqtarëve dhe vendosjen e rendit e qetësisë, duke vazhduar me shoqërimin e personave të futur në fushë dhe ata që kishin goditur gjyqtarin e ndeshjes.

Në lidhje me sqarimin e kësaj ngjarjeje janë shoqëruar edhe 14 shtetas të tjerë. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon shoqërimet, si dhe veprimet hetimore për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave përkatës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit