Mbrojtësi i Milanit, Matteo Gabbia e ka komentuar kështu për ‘MilanTV’ disfatën e pësuar mbrëmjen e djeshme në “BayArena” ndaj Bayer Leverkusen. Ndeshja e vlefshme për xhiron e dytë të fazës së grupit të Champions League përfundoi 1-0 për gjermanët, e vendosur me golin e Victor Boniface në fillimin e pjesës së dytë:
“Reagimi pas golit ishte shumë pozitiv. Gjatë gjithë ndeshjes treguam disponueshmëri, organizim. U përpoqëm të kapërcenim ato vështirësi që janë normale ndaj një ekipi të madh. Tashmë duhet të mendojmë për të dielën, çka është gjëja më e rëndësishme.
Çfarë kundërshtari ishte Bayer Leverkusen? Ekip shumë i fortë, i cili ka cilësi, luan shpejt dhe ka aftësi taktike. Mendoj se e përgatitëm mirë ndeshjen, luajtëm ashtu siç duhej: të gjithë të bashkuar, të gjithë kompaktë, kishim shanset tona.
Më vjen keq për golin e pësuar, kemi shumë zemërim për këtë, por tani gjëja më e rëndësishme është se kanë mbetur edhe 6 ndeshje. Duhet të mendojmë pozitivisht për të ardhmen dhe të përpiqemi ta ndryshojmë trendin këtë sezon”.