Matthäus, analizë 360 gradë për Botërorin: Ju tregoj Messin e ri, jam i ngopur me aktrimin e Neymar

26 Nëntor 2022
10:59
Alfred Lleshi
back button

Lothar Herbert Matthäus (Erlangen, Gjermani, 1961) ishte një nga të mëdhenjtë e historisë gjermane të futbollit. Ai dha këtë intervistë për “Marca” nga Doha.

Dje u mbushën dy vjet nga vdekja e Diego Maradona. Cilat janë kujtimet tuaja?
Ne kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Garuam kundër njëri-tjetrit, me klubet tona ose me kombëtaret, por kur u pamë jashtë fushës qeshnim shumë. Ai mezi e fliste gjuhën time. Mendoj se botës së futbollit i mungon shumë. Kaluam shumë mirë bashkë. Ai ishte një njeri i madh. Kam disa nga bluzat e tij, por atë që kam shkëmbyer me të në finalen e 1986-ës ia kam dhuruar së fundi Muzeut të Legjendave. Doja ta dhuroja që ta shihnin njerëzit, sepse… çfarë kuptimi kishte ta mbaja në shtëpinë time.

Ju, gjithashtu keni rekordin për ndeshjet e luajtura në Kupën e Botës (25). Messi do të luajë ndeshjen e 20-të kundër Meksikës, njësoj si Maradona. A dëshironi që Leo t’ju kapërcejë?
Unë jam një tifoz i madh i Messit dhe nëse dua që dikush ta thyejë këtë rekord, uroj të jetë ai. Do ta përgëzoj nëse arrin rekordin tim.

Çfarë prisni nga ndeshja e nesërme kundër Spanjës?
Nëse shkoj në precedentin e fundit, nuk kam një ndjenjë të mirë (Spanja fitoi 6-0 në nëntor 2020, në Ligën e Kombeve). Por kjo tashmë është e kaluar dhe nesër do të jetë një histori e re. Janë dy favoritët e grupit, por nuk duhet lënë pas dore edhe Japonia. Ne do të duhet të luftojmë për çdo metër fushë. Mendoj se gjermanët e respektojnë shumë Spanjën, ngaqë ka një ekip të madh. Do të jetë një nga ndeshjet më të mira të turneut.

A ju bënë përshtypje Gavi dhe Pedri?
Ata do ta udhëheqin këtë brez të ri dhe Luis Enrique po iu jep shumë besim, kjo është thelbësore për ta. “La Roja” gjithmonë nxjerr në pah vlera të reja.

A mendoni se Gjermania humbet shumë pa praninë e Kroos (lojtari njoftoi tërheqjen e tij nga ‘Mannschaft’ pas Euro 2021)?
Jo, ne kemi Gündogan, Kimmich, Musiala… Kroos bëri diferencën, ai vazhdon ta bëjë këtë me Real Madridin. Ai është një lojtar fantastik, por ka vendosur të largohet nga kombëtarja disa vite më parë dhe ne duhet ta respektojmë këtë. Ne kemi një ekip të madh gjithashtu dhe në pozicionin e tij kemi kapitenin e City (Gundogan). Kemi dy yje të Bayernit, Kimmich dhe Goretzka…, por ata janë të ndryshëm nga Kroos. Toni bëri gjëra të jashtëzakonshme për futbollin gjerman, por ne tashmë kemi elementë të tjerë.

A u habitët që Sergio Ramos nuk ishte në listën e Luis Enrique?
Është një rast i ngjashëm me Kroos. Për të mbaroi koha e kombëtares dhe Luis Enrique tashmë i besoi brezit të ardhshëm. Ai ishte një nga më të mirët në botë, tani ka rikuperuar nivelin ptimal sportiv. Unë jam i lumtur për të, por Luis Enrique është i kënaqur me lojtarët e tij, të cilët do të performojnë mirë për të në të ardhmen, siç bëri Flick, duke e larguar Hummels. Kjo nuk do të thotë se të kesh Ramos në fushë është gjithmonë kërcënues për rivalët. Ai ka shumë personalitet. Ndoshta, pas Kupës së Botës, Luis Enrique do të pendohet dhe do të thotë: Pse nuk e mora Sergio (qesh)?

Çfarë prisni nga kombëtarja juaj?
Katër vjet më parë dështuam në Rusi, por në Katar mund të ishte ndryshe, pavarësisht ndeshjes së parë kundër Japonisë. Flick po lidhet me lojtarët dhe unë besoj në të. E njoh shumë mirë dhe duhet të tregojmë një fytyrë tjetër, ndryshe nga ajo e Rusisë. Ajo që ndodhi, ndodhi në ndeshjen e parë dhe shpresoj që ky sinjal që iu dha botës të mos përsëritet më. Tani, pas asaj disfate, atmosfera nuk është aq ideale.

Cili lojtar ju kujton tani se si ishte Matthäus?
Është e vështirë të thuhet. Goretzka do të ishte mirë në pozicionin tim, duke luajtur zonë më zonë. Unë nuk isha një numër 10, por një numër 8, që shkoja nga zona në zonë. Punoja shumë në mbrojtje dhe përpiqesha të jepja pasimin e fundit në sulm.

Çfarë mendoni për Jamal Musiala?
Ai mund të jetë Messi i ardhshëm. Duhet treguar kujdes për të. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe nuk po e them tani, se po ia del mbanë te Bayerni. Ai është një djalë 100% i fokusuar te futbolli, nuk shpërqendrohet. Ai është shumë profesionist, shumë inteligjent, i apasionuar pas lojës. Unë kam qenë një fans i madh i tij për disa vite, që kur e pashë për herë të parë.

Po Bellingham?
Ai do të largohet së shpejti nga Borussia, drejt Real Madridit ose një ekipi në Premier League, ku ka para. Nëse nuk keni para, e vetmja që mund të nënshkruajë është Barça, që nuk ka një euro, por blen Lewandowski (qesh).

Neymar u lëndua, çfarë mendoni se meriton?
Më vjen keq për dëmtimin, por unë ju them një gjë: nuk më pëlqen që Neymar të aktrojë aq shumë në fushë. Nuk nevojitet. Ai duhet të fokusohet më shumë në të luajturit futboll dhe më pak në ekzibicion. Ai e ndihmon ekipin e tij më shumë pa aktruar gjatë gjithë kohës. Ai është një lojtar i shkëlqyer, pjesa tjetër përbën një shfaqje që nuk më pëlqen. Më pëlqen ta shoh atë duke luajtur, jo duke u hedhur vetë në fushë. Për çfarë e bën? Ai nuk ndihmon askënd kështu, madje as veten. Talenti i tij është të luajë, jo të aktrojë. Unë do t’i thoja të mos e bënte më. Shpresoj që të rikuperohet nga lëndimi i tij dhe ta luajë këtë Kupë Bote, por jam mërzitur duke lexuar titujt për ‘pordhët’ e tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit