Matthaus “bekon” kthimin e Guardiolës: Me të fiton Bayerni dhe Bundesliga

14 Nëntor 2019
12:41
Alfred Lleshi
back button

Nëse Pep Guardiola do të kthehej në “Allianz Arena”, kjo do të ishte fitore për Bayern Munich dhe krejt Bundesligën. Kështu mendon një nga legjendat e klubit bavarez, Lothar Matthaus. Kampionët e Gjermanisë janë në kërkim të një trajneri të përhershëm, pas largimit të Niko Kovac. Hansi Flick, në pozicionin e teknikut të emergjencës, ka pasur një fillim premtues, por nuk ka asnjë garanci se do të mbetet në këtë post për një afat të gjatë.

Drejtuesit e Bayern Munich, sipas “Bild”, kanë kontakte me ish-trajnerin e tyre katalanas, i cili nuk po kalon një moment të mirë te Manchester City, ku ka kaluar tri vitet e fundit. “Nëse Bayerni dëshiron të luajë futboll dominues ndaj kundërshtarit, me posedim të topit, nuk ka zgjidhje më të mirë se Guardiola, – tha ikona e klubit, Mathaus, për “Bild”. – Kthimi i tij do të ishte një fitore për Bayern Munich dhe për Bundesligën”.

Pep ka pasur sukses të pashembullt në rolin e trajnerit, që kur mori përsipër si debutues drejtimin e Barcelonës në vitin 2008 e deri më tani. Trofetë e fituar e kanë ndjekur kudo që ka shkuar. Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të fitonte Champions-in me gjigantët gjermanë, as me Manchester City. Me Bayern Munich u bashkua në verën e vitit 2013, duke fituar dy tituj të Bundesligës dhe dy Kupa të Gjermanisë. 

Që nga transferimi në Angli, Guardiola nuk e ka shijuar dot suksesin në Ligën e Kampionëve, si te Barça më 2009 dhe 2011. Në “Etihad”, trajneri katalanas ka fituar dy tituj radhazi të Premier League dhe trofe të tjerë kombëtarë. Ai vendosi rekord të ri për pikët e fituara (97) në një sezon në kampionatin anglez, kur ngriti titullin kampion, sezoni 2017-2018.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit