Matthaus ngre lart yllin anglez: Nënshkrimi me të, si të fitosh lotarinë…

12 Shkurt 2019
12:01
Alfred Lleshi
back button

Legjenda gjermane e futbollit, Lothar Matthaus, thotë se nënshkrimi me Jadon Sancho ishte një arritje e madhe për Borussia Dortmund dhe Bundesligën, duke e krahasuar këtë marrëveshje si me "fitimin e lotarisë". Sancho ka provuar se është një zbulim, që kur ka luajtur me ekipin e parë të Dortmundit, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 9 asiste në 21 paraqitje të Bundesligës, këtë sezon. 

Suksesi i anësorit 18-vjeçar, vetëm një vit pasi u largua nga Manchester City, për shkak të mungesës së aktivizimit atje, është i dukshëm. U desh vetëm një tarifë prej 8 milionë eurosh për të siguruar transferimin e Sancho në Gjermani, ndërsa Matthaus thotë se paraja e shpenzuar në këtë rast duket si “ujdia e shekullit”.

"E pashë për herë të parë dy vite më parë, në Kampionatin Europian U-17, – tha Matthaus për “Ruhr Nachrichten”. – Anglia po luante kundër Norvegjisë dhe isha në palestër. Para meje, në ekran, po luhej kjo ndeshje. Normalisht, nuk lë asgjë që ta ndryshojë fokusin tim, por aty u ndala, pas 15 minutash, sepse më tërhoqi ndeshja dhe vura re një lojtar: anësorin e krahut të majtë të Anglisë.


Pesë minuta më vonë mora vesh se kush ishte: Sancho, Manchester City. E kisha parë teksa luante për dhjetë minuta dhe m’u krijua bindja se ta merrje atë për pak para nga Anglia ishte si të fitosh lotarinë. Ai jo vetëm që ndihmon Dortmundin, por edhe Bundesligën, përtej kufijve të klubit personal. Në Angli, Bundesliga po fiton rëndësi dhe tani ai është një lojtar ndërkombëtar.

Lojtarët e rinj si Sancho po shpërthejnë me vetëbesim dhe tani janë të përgatitur ndryshe për futbollin profesional, për këtë fazë të madhe të karrierës”. Çudi si ish-trajneri i tij, Pep Guardiola, e ka lejuar t’i rrëshqasë nga duart. Ai është një lojtar i ngjashëm me Leroy Sane. Jam vërtet i habitur si Guardiola nuk e ka parë atë.

Sancho mund të bëjë ndryshimin në Bundesligë, madje edhe kundër Leipzig apo Bayern Munich. Pse duhet të jetë ndryshe në Ligën e Kampionëve?”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit