Boks

Mayweather dhe DJ Khaled në telashe, përfundojnë në gjyq për mashtrim

Floyd Mayweather dhe DJ Khaled janë denoncuar nga disa persona, që akuzojnë se kanë rënë pre e një mashtrimi ilegal të disa valutave të kriptuara, që ka detyruar investitorë të shumtë të humbasin miliona dollarë. Monedha që ka përfunduar në qendër të këtij skandali quhet “centra tech” dhe sipas palës akuzuese është promovuar në rrjetet sociale nga ikona si Mayweather dhe Khaled.

Në fakt, postimet e Floyd Mayweather në rrjetet sociale, që u drejtohej njerëzve për ta blerë këtë monedhë kanë qenë të shumta dhe entuziaste. “Nga sot mund të më thërrisni Floyd “Crypto” Mayweather”, shkruante boksieri amerikan, ndërsa Khaled e ka përkufizuar shoqërinë dhe produktet e saj si  “një pikë kthese e historisë”.

Ku qëndron problemi…? Securities dhe Exchange Commission kanë konfirmuar se shoqëria që vepron pas kësaj monedhe po punon në mënyrë ilegale, duke mashtruar investitorët dhe shumë nga personazhet “vip” që e mbështesin atë nuk ekzistojnë realisht.

“Centra tech” ka mbledhur deri më tani 32 milionë dollar nga financues të ndryshëm, që kur kjo monedhë doli fillimisht në vitin 2017, falë edhe mbështetjes që i bënë asaj në rrjetet sociale shumë personazhe “vip”, përfshi Mayweather e Khaled.

Themeluesit e kësaj shoqërie janë arrestuar në prill dhe tashmë përballen me akuza të ndryshme, mes të cilave edhe mashtrim, por personat që kanë humbur paratë akuzojnë edhe personazhet që e përkrahën atë, duke u përpjekur që të rimarrin mbrapsht paratë e humbura me gjithë interesa.

Më shumë nga Boks