Mbi dy dekada president i Teutës, rrëfehet Edmond Hasanbelliu: Kur kujtoj sa kam shpenzuar…

6 Gusht 2020
15:24
Telesport
back button

Një Kupë për 100 vjetor! Teuta e mbylli sezonin 2019-2020 në mënyrën më të mirë, edhe pse fillimisht pretendimet dhe objektivat e presidentit Edmond Hasanbelliu ishin për kampion, duke ndërruar Shkëmbin me Edi Martinin në stol…

Kualifikimi në Europa League u arrit, edhe pse nuk ishte aspak e lehtë. Natyrisht, numri “1” i Teutës dhe presidenti më i vjetër në Superligën Shqiptare, në intervistën për Top Channel flet për këtë edicion, një rrëfim në 360 gradë..

“Po kujtoj sot kur kam filluar, ka qenë janar i vitit 1999, kur kryetar Bashkie ishte Arqile Gorreja. Teuta ishte në vendin e fundit me 13 pikë dhe unë e mora në fazë të dytë. Mirëpo ai pasioni i futbollit na mbajti, se me këto mend që kam sot, nuk do të hyja në futboll me atë që kam heq nga ky futboll. Ishte dhe fjalë e madhe, fjala “president” dhe kështu fillova. Por në atë vit ia dolëm, jo vetëm që shpëtuam, por edhe arritëm dhe u ngjitëm në Europë, luajtëm në Kupën “Intertoto”.

100-vjetori dhe Kupa – “Përveç 100-vjetorit, do të thoja që është diçka e veçantë për qytetin, për ne. Një ndjesi shumë e madhe, pasi ky vit filloi keq për ne, me tërmetin, dhe kur ra tërmeti, të gjithë njerëzit donin të largoheshin nga Durrësi, ca në Itali, në Berat dhe përgjithësisht në jug. Një gjë që do të mbahet mend gjatë. E tmerrshme. Menduam se edhe futbolli iku. Nuk e harroj, që Qeveria në atë periudhë vendosi çadra në stadium, madje unë debatova për këtë gjë, por mendova se futbolli u prish, mbaroi. Madje unë kisha ndeshje me Korçën pas dy javësh. Me fjalë të tjera, kjo Kupë është diçka e madhe për ne, jo se është trofe me vlerë të madhe financiare, por më tepër morale. Një trofe që ndihmoi nje qytet të tërë moralisht, ata të cilët u dëmtuan nga tërmeti, nga koronavirusi, nga gjithçka”.

21 vite me Teutën –  “Pengje kam shumë. Në 21 vite janë shumë pengje dhe nuk e kam menduar më parë, që do ishte kështu. Peng të madh në vitin 2000, kur ishim në krye të shkëputur nga Tirana dhe në fund e humbëm kampionatin, në ndeshjen në Peqin. Peng kam sezonin në 2013, kur kishim skuadër shumë të mirë dhe barazuam me Kamzën në Durrës. Dhe në atë kohë kisha trajner shumë të mire, Starovën dhe Likën. Por më pas harrohen gjithçka, pasioni na ka mbajtur. Por dua të dal te ky sezon, ku gjërat janë disi më ndryshe. Tashmë kemi edhe një ortak, mendojmë që bashkarisht mund të ecim më shumë. Dua ta falenderoj shumë edhe Ardianin, pasi te Kupa ka një meritë të madhe edhe ai.

Titulli i munguar – “Mbase duhet pak hile në futboll, nuk e di, mbase dhe kjo. Pavarësisht se na akuzojnë ne presidentëve se tolerojmë. Sigurisht, në futboll ka tolerime, si kudo. Edhe për rastin konkret, për Kupën e Republikës, dëgjova që na toleroi Tirana. Unë nuk e di, por mbase nga që dolën kampion, nuk kishin atë uri për trofe, si e kishim ne. Por kjo s’do të thotë që toleroi Tirana. Ajo është një kupë, është një trofe, ka një vlerë prej 5 milionë lekësh që të gjithë i duan. Po të ishte aq i pasur Ridi, apo Tirana, për të mos e marrë atë Kupë sikur s’ka kuptim”.

Merkato dhe sekretet e Teutës, Edmond Hasanbelliu “fsheh” vetëm ...

Shkëmbi dhe Martini – “Nga që jam kaq vite në futboll, i njoh të dy futbollistë, si Shkëmbin, ashtu edhe Martinin. Madje Shkëmbin e kam marrë vetë te Teuta, kur luante me Skënderbeun në kategorinë e dytë. Madje i kemi paguar para presidentit të Skënderbeut, z. Haruni. Pagova 1 milionë lekë për të, por ai një vit ndenjti dhe iku, e shitëm 100.000 dollarë te Tripoli në Greqi. Ishte shitja e parë, m’u duk shumë. Me Shkëmbin kam pas gjithmonë kontakte me të. Por edhe me Martinin, kam pas marrëdhënie shumë të mira, se ishte dhe më i lezetshëm. “Me ken shkodran tana i ban”, siç thonë. Po e du fort atë. Me Shkëmbin u ndamë se menduam se duhet të dilnim kampion. Bëri një ndeshje të dobët me Kukësin, ku në fakt na penalizoi dhe arbitri, por aty u ndamë miqësisht. Menduam që të bënim një zgjedhje më të mirë dhe faktikisht na eci mirë dhe dua ta falenderoj për Kupën që mori”.

Europa dhe vetëkënaqja – “Nuk jam shumë dakord me këtë, edhe pse duhet të theksoj që kur na del një kundështar i fortë përpara, ndoshta është si psikologjike që dorëzohemi. Vjet na ra një skuadër më e dobët se ne dhe besuam se do kalonim. Por nuk ia dolëm dhe e kam pishman atë kualifikim”.

Të rinjtë – “Pasioni na ka mbajtur dhe vazhdojmë me ëndërra. Kallaku është një talent i rrallë, që unë kam parë në kaq vite. Kishim shumë kërkesa për Kallakun nga Turqia dhe shtete të tjera, por kjo nga Kroacia ishte më konkrete. Nuk ishte ndonjë shifër kushedi çfarë që u shit. 150.000 euro për Kallakun janë pak dhe jam i bindur që në Kroaci atij vlera do t’i rritet më shumë. Nuk di të them, nëse është biznes futbolli në Shqipëri, por rasti i Skënderbeut është një rast, ku ata që e drejtuan, fituan goxha para. Ndoshta është kjo ajo Korça që na bëri edhe ne të reflektojmë edhe të besojmë më tej.

Futboll i pastër apo alenca – Mua më duket se kjo skema me 10 ekipe, është e drejtë dhe ku të gjithë janë në garë për diçka, duke evituar aleancat. Megjithatë mund të them që edhe ka histori “e shiti, apo nuk e shiti”. Ne jemi në luftë të madhe nga UEFA dhe nuk janë gjërat kaq thjeshtë sa i flasin njerëzit nëpër kafene, apo nëpër facebook. Kushdo ka bërë ndonjë pisllik do të ndëshkohet, e sigurtë.

Nota – “Mendoj që kam mangësira shumë dhe futbolli në këto kohë do financa. Ne me ortakun e ri, po përmirësojmë diçka, por në të vërtetë u bë kaq vite që nuk dalim dot me bilanc pozitiv. Për këtë arsye po bëjmë shoqëri aksionere, që të jemi më në rregull me financat”.

Investimet në 21 vjet – “Lëre, të lutem mos ma kujto, se për këtë debatojmë me vëllain dhe familjen. Kur i kujtoj shpenzimet e këtyre viteve, dridhem. Më mirë e lemë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit