Mbledhja e mesnatës: Mema kundër Halilit: Më hiq, s’iki / Dy emra trajnerësh në tavolinë

8 Tetor 2019
14:09
Eraldo Harlicaj
back button

Tirana zien nga brenda! Presidenti Refik Halili dëshiron që të largojë nga puna trajnerin Ardian Mema, por ky i fundit nuk pranon të dorëhiqet. Palët kanë patur diskutime të stërzgjatura në mbrëmjen e së hënës. Telesport zbulon se drejtuesit më të lartë të bardhebluve kanë dhe dy alternativa për postin e trajnerit. 

MBLEDHJA – Presidenti Refik Halili ka thirrur drejtuesit më të lartë të klubit në një mbledhje deri në orët e vona të mbrëmjes. Largimi i trajnerit Ardian Mema është fakt për numrin një të klubit dhe drejtuesit e tjerë, por nuk gjendet formula e duhur për të mos u dëmtuar klubi ekonomikisht. Presidenti i ka kërkuar Memës që të japë dorëheqjen, por ky i fundit nuk ka pranuar. Ai është përplasur ballazi me Halilin duke i thënë: “Nuk largohem. Jam brenda objektivave, më hiq nëse do!”. Halili do e bënte me dëshirën më të madhe, por në rast se shkarkon vuan nga aspekti ekonomik. Ai nuk mund ta shkarkojë, pasi i duhet të dëmshpërblejë trajnerin e tij. 

ALTERNATIVAT – Klubi bardheblu ka hedhur dy alternativa mbi tavolinë. I pari dhe më i favorizuari është Julian Ahmataj. Ish-trajneri i Luftëtarit dhe Kamzës është i lirë në treg dhe ka mbështetjen e një pjese të drejtuesve të Tiranës. Emri tjetër që ka dalë në mbledhje është ai i Bledar Devollit. Ky i fundit ka mbështetjen e një pjese tjetër drejtuesish. Tirana ka dy kandidatë në tavolinë për një trajner që nuk mund ta heqin ende. Situata nuk është aspak e mirë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit