Futboll

Mbledhje 15 minuta, Panuçi nis nga dora e hekurt

Grumbullimi kuqezi ka nisur zyrtarisht dhe në stërvitjen e parë, në ambjentet e Tropikal Resort në Durrës, trajneri i Shqipërisë, Christian Panuçi, fillimisht ka bërë një mbledhje me stafin e tij dhe të gjithë futbollistët.

Ndeshja e radhës, ajo përballë Skocisë, më 17 nëntor në “Loro Boriçi” të Shkodrës, e vlefshme për Ligën e Kombeve, ka qenë fokusi kryesor i diskutimit që italiani ka bërë nën sytë e lojtarëve. Asnjë buzëqeshje, vetëm fytyra serioze, teksa ish-mbrojtësi shpjegonte koncepte loje, nga mbrojtja me tre te rreshtimi me katërt, topat e gjatë dhe sidomos goditjet standarte.

Të gjithë janë dukur të vëmendshëm, ndërsa trajneri kuqezi, nisur edhe nga ajo që ndodhi në Izrael, por sidomos në Gllasgou, është ndalur sidomos te gabimet dhe dhuratat që kemi bërë si skuadër.

Shqipëria ka një sfidë jetësore ditën e shtunë, kur në rast fitore të paktën do të shmangim rënien nga kategoria, pra në Ligën D, por edhe mund të shpresojmë, në rast se përfundojmë të dytët në grup, nëse vendi i parë kualifikohet direkt në Europianin 2020, duke na dhënë mundësinë që të shkojmë dhe ne.

Më shumë nga Futboll