Mbreti i derbeve! William Cordeiro: Partizani-Tirana është si Fla-Flu, shqiptarët çmenden pas tij

13 Korrik 2020
9:54
Alfred Lleshi
back button

“Barazimi i Partizanit me Tiranën, me rezultatin 1-1, në klasiken (derbin) kryesor të futbollit shqiptar, ishte kulmi i javës së 33-të të kampionatit kombëtar atje”. Kështu e nis shkrimin portali brazilian  “reporteres em acao”. Duke vijuar më tej: “Ndeshja u luajt të premten në stadiumin “Air Albania”, në kryeqytetin e vendit europian, pa praninë e publikut, si masë parandaluese për shkak të pandemisë së Covid-19.

Autori i golit të Partizanit, William Cordeiro, festoi faktin se e tronditi rrjetën për herë të tretë në katër përplasjet me rivalin e madh, në sezonin 2019-2020. Kjo ka bërë që lojtari brazilian të quhet “Mbreti i Klasikeve” (derbeve) nga tifozët fanatikë të klubit të tij dhe nga shtypi sportiv shqiptar.

“Partizani-Tirana është ekuivalent i Flamengo-Fluminense këtu në Shqipëri. Kur zbardhet kalendari i Superiores, njerëzit do të interesohen direkt për datat e këtyre ndeshjeve derbi, në të cilat fitorja vlen më shumë se tri pikë. I tillë është rivaliteti mes dy skuadrave të kryeqytetit shqiptar. Jam shumë i lumtur që lashë shenjën time përsëri. Gëzimi nuk është fort i madh, sepse pësuam gol në fundin e pjesës së dytë, i cili na hoqi nga duart rezultatin pozitiv”, – deklaroi lojtari nga Vitória da Conquista, i cili para se të shkonte në Europë luajti në disa klube braziliane, si Figueirense, Oeste de Barueri dhe Ferroviária de Araraquara.

Me rezultatin e së premtes, Partizani ka 49 pikë, duke zënë vendin e pestë në klasifikim. Tirana kryeson me 66 pikë dhe është shumë afër fitimit të titullit. “Ne jemi vetëm katër pikë pas vendit të tretë, një pozicion që garanton një vend në “Europa League” për sezonin 2020-2021. Ndërsa kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u luajtur, besoj se kemi mundësi optimale për të siguruar kualifikimin në turneun kontinental”, – përfundoi William Cordeiro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit