Mbyllet Europiani i shtangës për kuqezinjtë, Endri Karina larg podiumit

13 Prill 2019
16:20
Telesport
back button

Peshëngritësi Endri Karina ka mbyllur sot konkurrimin e kuqezinjve në Europianin e shtangës që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë. 30-vjeçari ka garuar në peshën 102kg, ku në dygarësh është klasifikuar në vendin e 12-të, shumë larg kreut.

Paraqitja e Karinës ka qenë në dritëhije, duke mos dhënë atë që pritej në pedanë. Në stilin e shkëputjes, ai realizoi me sukses vetëm provën e parë, ku ngriti 160kg. Në dy përpjekjet e tjera, ai tentoi fillimisht 167kg dhe më pas 169kg, duke synuar zonën e medaljeve, por pa sukses. Për pasojë, në këtë stil Karina u rendit në vendin e 11-të.

Edhe në stilin e shtytjes, Karina realizon vetëm një nga 3 provat që kishte në dispozicion. Pasi dështon të ngrejë 190kg në provën e parë, shtangisti kuqezi e realizon këtë provë në përpjekjen e dytë. Në provën e tretë tenton 195kg, por pa sukses. Në këtë stil, shtangisti kuqezi u klasifikua në vendin e 11-të.

Në dygarësh, me 350kg në total, Endri Karina u rendit në vendin e 12-të, shumë larg më të mirëve (391kg në dygarësh kampioni i Europës, ukrainasi Dmytro Chumak). Shqipëria e mbylli këtë aventurë në Europian me 5 medalje: 1 të artë, 2 të argjendta dhe 2 të bronzta. Briken Calja mori 3 medalje: 1 ari dhe dy argjenti; Erkand Qerimaj fitoi një të bronztë dhe Krenar Shoraj një të bronztë.

Rezultatet e Karines ne peshen 102kg

Lajme të tjera

Lajmet e fundit