Kombëtarja

Mbyllet me turp turneu i U-19 për Shqipërinë

Mbyllet me turp turneu i U-19 për Shqipërinë

Kombëtarja U-19 e Shqipërisë ka luajtur ndeshjen e fundit zyrtare të turneut për U-19, që u zhvillua në vendin tonë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Erion Bogdani, ka luajtur këtë të martë kundër Norvegjisë, nga e cila është mundur me rezultatin 0-1. Këto janë eliminatoret e dyta pa marrë asnjë pikë, madje pa shënuar as një gol në tre ndeshje zyrtare.

Sfida e sotme u luajt në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, ku të besuarit e trajnerit Erion Bogdani arritën të bëjnë pak për të gjetur rrjetën. Ishin miqtë ata që e kërkuan fitoren duke vënë në vështirësi skuadrën kuqezi.

Kështu në minutën e 31` të takimit, skuadra e Norvegjisë ka një mundësi të shkëlqyer, që shfrytëzohet shumë mirë nga Erik Bothein, që tund rrjetën e kuqezinjve të vegjël duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Të kapur në befasi, skuadra e Erion Bogdanit mundohet shumë pak për të ndryshuar gjërat në fushën e lojës.

Me rezultatin 0-1 mbyllet pjesa e parë e lojës, ndërsa pjesa e dytë flet sërish për Norvegjinë. Skuadra nordike arrin të mbrohet shumë mirë duke  mos lejuar sulmin kuqezi të depërtojë në zonë. Sakaq U-19 e Norvegjisë mundohet të kundërsulmojë por pa arritur të gjej golin e dytë, i cili mohohet nga mbrojtja kuqezi.

Me rezultatin 0-1 do të mbyllej dhe ky takim i tretë për skuadrën Kombëtare U-19, që nuk shënon asnjë gol në këto eliminatore dhe për më tepër nuk merr asnjë pikë. Kështu pas përfundimit të ndeshjeve të sotme, kombëtarja U-19 e Norvegjisë dhe ajo e Ukrainës kualifikohen për në “Elite Round”, ndërsa Sllovakia edhe pse arriti të kishte pikë të barabarta me dy skuadrat e kualifikuara nuk shkoi më tej për shkak të golavarazhit.

 

Më shumë nga Kombëtarja