Me kë e ka Ronaldo: Nuk kam asgjë për të provuar, karriera ime flet vetë

9 Shtator 2020
11:17
Alfred Lleshi
back button

Cristiano Ronaldo i shijoi fort dy golat e tij të fundit, në “Friends Arena” të Suedisë, ndërsa rrumbullakosi dhe tejkaloi kuotën e 100 golave me Portugalinë. Megjithatë, pavarësisht kësaj arritjeje mbresëlënëse, kapiteni luzitan këmbënguli se nuk kishte asgjë për të provuar. CR7 luan me kombëtaren e tij që prej vitit 2020.

Dy golat, i 100-ti dhe i 101-ti i tij në nivelin ndërkombëtar, siguruan fitoren 2-0. 35-vjeçari kishte realizuar “hat-trick” në të njëjtin stadium, kur mundi i vetëm Suedinë në kualifikueset e Kupës së Botës 2014.

Sulmuesi i Juventusit tha pas ndeshjes së mbrëmshme: “Unë nuk i ndoqa komentet. E dija që kisha lënë gjurmë në këtë stadium. Po ashtu e dija që, nëse do të luaja, do të lija përsëri shenjë. Nuk më interesojnë provokimet. Ajo që kam bërë në karrierë flet vetë. Jo, nuk duhet t’i provoj askujt asgjë. Kur duhet ta provoj diçka, e tregoj në fushë”.

Lidhur me golin e tij historic (100), Ronaldo tha: “Jam shumë i lumtur. Së pari, sepse fitoi ekipi. Pastaj shenja 100 dhe 101, me dy gola, më bënë shumë të lumtur. Tani e ardhmja është vetëm për Zotin. Ndihem mirë, i lumtur që kam luajtur me këta lojtarë të rinj”.

Ndeshja kundër Suedisë u luajt me dyer të mbyllura, prej pandemisë së koronavirusit. Ronaldo e përshkroi mungesën e tifozëve si diçka thelbësore: “Të luash pa tifozë është si të shkosh në cirk dhe të mos shohësh kllounë. Është si të shkosh në kopsht dhe të mos shohësh lule”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit