Me merkato të bllokuar por Daja premton për një super Partizan! “Ja biseda me futbollistët dhe porosia…”

21 Tetor 2020
15:23
Telesport
back button

Trajneri i Partizanit Ilir Daja mezi pret fillimin e sezonit, që është shtyrë për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste. Edhe pse pa merkato, tekniku i kryeqytetasve është i bindur se do të bëjë mirë me elementët që ka.

Në një lidhje direkte me emisionin “Sport Time” në Supersport flet mbi gjithçka.

Në përvjetorin e lindjes keni qenë thuajse gjithmonë në punë. Te cili klub e keni festuar më mirë ditëlindjen?

Ditëlindjet janë të veçantë, por më të veçanta janë fitimet e trofeve. Më mirë nga të gjitha herët e tjera, e kam festuar te Skënderbeu, kur ishim në grupet e Ligës së Europës. Ka qenë fiks pas ndeshjes me Partizanin e Beogradit, pas asaj loje të shkëlqyer që bëmë në “Elbasan Arena”.

Si është gjendja e skuadrës dhe a do të shohim një Partizan për titull këtë sezon?

Tek të gjitha ekipet që kam drejtuar, ndonëse kishim objektiva të tjerë, lojtarëve u kam thënë të sillemi si kampionë. Kam një skuadër me lojtarë që kanë dalë kampionë, ndaj pse të mos e tentojmë maksimumin?!

Keni keqardhje për bllokimin e merkatos?

Ndjej keqardhje për merkaton, por është një kapitull i mbyllur. Ishte piketuar një ekip me afrime që do të përforconte grupin. Afrimet do të rrisnin kualitetin dhe rivalitetin në skuadër, pasi kampionati është i gjatë dhe do të jenë prezente dëmtimet dhe kartonët.

Megjithatë që në fillim e dinim që mund të shkonte edhe kështu, ndaj tani jemi gati të gjithë që të sakrifikojmë për të marrë më të mirën nga ky grup dhe për të çuar sa më lart Partizanin.

Çfarë diference ka mes ndeshjeve dhe stërvitjeve, pasi pre dy muajsh vetëm po punoni në fushë?

Sigurisht që stërvitjet janë shumë të nevojshme për të konsoliduar lojën, por ngarkesa maksimale merret në ndeshje.

Sado që t’i ngarkojmë lojtarët në stërvitje, asnjëherë nuk i afrohemi impenjimit të një ndeshjeje zyrtare. Më pas dihet që ndikojnë edhe faktorë të tjerë si gara, dëshira për të bërë mirë, etj.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit