Më mirë Champions apo Mbappe? Ancelotti përgjigjet troç, pa diplomaci

19 Maj 2022
15:19
Alfred Lleshi

Duke folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Betis, e vlefshme për javën e fundit të La Liga-s, trajneri Carlo Ancelotti iu përgjigj edhe disa pyetjeve të pashmangshme për të ardhmen e Kylian Mbappe:

“Nuk e konsideroj këtë çështje, në këtë moment jam i fokusuar vetëm në finalen e Champions League kundër Liverpool-it. A është më mirë të fitojmë Champions-in apo të marrim Mbappe? Të gjithë këtu te Real Madridi tashmë ëndërrojnë për Champions-in e 14-të në histori”.

Kjo ishte përgjigja mjaft e qartë e trajnerit të “Los Blancos” për sulmuesin francez, të cilit i skadon kontrata me PSG pikërisht sapo të mbarojë finalja e 28 majit në “Stade de France”.

Situata e Mbappe – Një nga telenovelat e merkatos së verës do të jetë sigurisht ajo e Kylian Mbappe. Sulmuesi nuk e ka rinovuar akoma kontratën që i skadon me PSG-në dhe Real Madrid duket klubi i vetëm që mund të sigurojë shërbimet e yllit francez.

Los Blancos janë të përqendruar te finalja e Champions League kundër Liverpool-it, por pas ndeshjes së 28 majit do të mund të hidhen në sulm për Mbappe. Sipas kryebashkiakut të Madridit, Jose Luis Martinez-Almeida, transferimi i tij te Real Madrid “është i kryer në 95-99%”. Numri një i kryeqytetit të Spanjës ka darkuar të martën me emirin e Katarit.

Duke folur për radion “Cadena Ser”, ai ka thënë: “Mendoj se për Mbappe te Real Madridi është e kryer në 95-99%. Por, për të kaluar një darkë të qetë, kam thënë menjëherë se isha një tifoz i Atletico-s”.

Me rastin e vizitës në Spanjë të emirit të Katarit, Tamim ben Hamad Al Thani, kryebashkiaku ka darkuar me të të martën në mbrëmje në pallatin mbretëror, në praninë e mbretit të Spanjës Felipe VI dhe të presidentit të PSG-së, Nasser Al-Khelaïfi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit