Mediat italiane: “Derby d’Italia” për titullin, sfidë totale mes Interit dhe Juventusit

5 Dhjetor 2023
8:15
Alfred Lleshi
back button

“Corriere dello Sport” fokusohet në numrin e sotëm te beteja e titullit kampion në Serie A, e cila aktualisht sheh Interin dhe Juventusin të përfshirë më së shumti. Zikaltrit rikthehen në krye të tabelës falë 3-0 në Napoli, duke ruajtur avantazhin +2 pikë ndaj bardhezinjve, që bënë detyrën në Monza.

Interi dhe Juventusi po ecin me një ritëm të ndryshëm nga ndjekësit e tyre, ndaj duket se janë kandidatët kryesorë për “Scudetton”. Zikaltrit kanë një strukturë të kompletuar dhe mesfushë të frikshme, si dhe mburren me mbrojtjen e sulmin më të mirë në kampionat.

Bardhezinjtë kanë qëndrueshmëri të shkëlqyer në mbrojtje, por shënojnë pak në krahasim me rivalët e tyre për titull. Prandaj, “Derby d’Italia” është shumë i ndezur për trengjyrëshin italian, nga i cili duket se Milani dhe Napoli po largohen pak e nga pak.

Kuqezinjtë janë 6 pikë nga larg kreut të renditjes dhe do të mund të llogarisin rikthimin e Rafael Leaos për një “mësymje” të re drejt vendit të parë në Serie A. Një çështje më e ndërlikuar për Napolin, i cili pas humbjes së pësuar ndaj Interit kaloi në 11 pikë larg kreut.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit