Mediat katalanase e bëjnë të kryer: Aguero do t’i bashkohet Barçës

13 Maj 2021
13:06
Alfred Lleshi
back button

Barcelona fillon të punojë për sezonin e ardhshëm. Lojtari argjentinas i Manchester City, Kun Agüero, duket se i ka të gjitha kredencialet në rregull për t’u bërë përforcimi i parë i skuadrës katalanase. Një vendim që merret nga bordi i drejtorëve, pasi klubi ende nuk ka një drejtor sportiv. Jordi Cruyff, favoriti për ta zënë këtë pozicion, është ende në Kinë dhe sipas RAC 1, nuk duket se do të shkëputet nga Shenzen derisa kontrata e tij të skadojë dhjetorin e ardhshëm.

“Mundo Deportivo” dhe “La Vanguardia” raportojnë se marrëveshja me argjentinasin 33-vjeçar tashmë është mbyllur dhe se ajo do të shpallet pasi të mbarojë sezoni. Agüero do të mbërrijë te Barcelona si lojtar i lirë, pasi i përfundon kontrata me Manchester City. Një muaj më parë, të dyja palët njoftuan se nuk do ta zgjasnin marrëdhënien 10-vjeçare të deritanishme, në të cilën argjentinasi është bërë idhull për tifozët e “Etihad”. Me 258 gola, ai është bërë shënuesi më i mirë historik për “qytetarët”.

Në bordin e Blaugrana-ve vlerësohet përvoja dhe aftësia e tij shënuese, por edhe marrëdhënia e mirë personale me Messin. Presidenti Laporta vlerëson se ardhja e Kun mund të jetë një element që luan në favor të vazhdimësisë së Leos në “Camp Nou”. Nëse konfirmohet ardhja e Agüero, kjo nuk do të thotë se përforcimet do të ndalen, përfshirë sulmuesin holandez Memphis Depay, me të cilin negociatat kanë avancuar mirë. Edhe aim und të merret si lojtar i lirë.

Këto vendime, si dhe vazhdimësia ose jo e Ronald Koeman, nënshkrimi i një mbrojtësi (Éric García është pothuajse i kryer), largimet në fund të sezonit…; duhet të merren tani për tani, pa një drejtor sportiv, pozicion ende bosh në klub. Jordi Cruyff, i zgjedhur për të udhëhequr projektin, duket se nuk dëshiron ta shkurtojë angazhimin e tij te Shenzen kinez, ndaj nuk pritet të bashkohet me katalanasit deri janarin e ardhshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit