Mehmeti flet pas “gradimit” në stolin e Partizanit: Objektivi im? Ndeshja e radhës

5 Janar 2022
11:23
Alfred Lleshi
back button

Dritan Mehmeti ka zënë vendin e Ilir Dajës në stolin e Partizanit. Viti 2022 nis me ndryshime të rëndësishme te “demat e kuq”, por pritet të shihet në fushë se sa efikase do të jenë ato. Mehmeti ka folur sot për herë të parë si trajner i Partizanit:

“Unë jam pjesë e familjes, e kam detyrim të jap maksimumin. Nuk ka vlerë ana ekinomike, por marrëdhëniet që kam me klubin, tifozët dhe presidentin. Lojtarët që kanë qenë këtu dhe kanë vite eksperiencë do të duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën.

Dua të falenderoj Dajën për punën që ka bërë. Kjo punë do edhe fat. Të gjithë bashkë, drejtues, tifozë, lojtarë të ngremë këtë emër dhe të dalim nga kjo situatë. Lojtarët duhet ta kuptojnë se çfarë fanelle veshin. Duhet shumë punë dhe djersë. Të ndryshojmë mentalitetin e lojtarëve dhe të tregojmë se çfarë fanelle veshim. Vështirësia është e madhe, por kjo më jep besim se bashkë me çunat do t’ia dalim.

Objektivi? Për sa kohë jam këtu, ndeshja e radhës është ajo që dua të fitoj. Kam besim se do t’ia dalim. Besoj te puna e mirë që po bëhet për të vënë pikat mbi “i”, marrëdhënia lojtar-staf-klub do të na nxjerrë nga kjo gjendje. Tifozët janë oksigjeni ynë.

Me një pjesë të lojtarëve aktualë kemi dalë edhe kampionë, e di mentalitetin e tyre. Lojtarët mos jenë në trysni dhe të kuptojnë se çfarë klubi përfaqësojnë. Ndryshimet? Nisin që këtu. Po them dhe lajmëroj se do t’ia dalim bashkë. Të pranojmë gabimet, jam edhe unë pjesë e tyre. Nuk ka justifikime në futboll, ta kërkojmë fajin te vetja.

Aty ku kemi gabuar, të nxjerrim konkuzionet. Kemi nevojë për 2-3 elementë përforcues që të dalim nga këtu. Përforcime na duhen në qendër të mbrojtjes, te boshti i ekipit, në mesin e fushës dhe sulm. Jam demokrat në aspektin e zgjedhjeve. Në varësi të elementit që kam do të zgjedh edhe formcionin.

Po presim një analist ndeshjesh. Corrado Saccone do të jetë përgatitës atletik. Kemi punuar mirë me italianin kur dolëm kampion me Gegën. Të mos humbasim kohë dhe të kërkojmë sa më shpejt rikthimin. Kontrata ime me klubin? Nuk i kam marrëdhëniet me Partizanin në aspektin ekonomik. Jam i familjes dhe do të jap mksimumin në këtë detyrë të vështirë. Nuk jam i përkohshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit