Mehmeti i dërgon “selam” Tiranës: Harroje titullin ndaj nesh, ka ndeshje të tjera

6 Maj 2022
14:10
Alfred Lleshi

Partizani do të bëjë çmos që “armiku” më i madh i tij të mos e festojë titullin e 26-të kampion pikërisht në derbin e nesërm, që do të luhet në “Elbasan Arena”, prej orës 18:45. Trajneri Dritan Mehmeti tha në konferencën për shtyp:

“Kur bëhet fjalë për derbin është diçka e veçantë, është një histori tjetër. Pavarësisht objektivave që kanë të dyja klubet është një derbi. Ne nuk mund ta menaxhojmë objektivin që ata kanë; fitimin e titullit. Mos harroni se kemi objektivin tonë minimal, të sigurojmë Kupat e Europës. E rëndësishme është që të interpretojmë ashtu si duhet derbin dhe shpresoj që të arrijmë të tregojmë atë që kemi bërë kohët e fundit.

Tirana ka kualitetet e saj. Siç mund të ketë pikat e forta, ka edhe pika të dobëta. Siç edhe ne kemi elementë shumë cilësorë, që mund t’i godasim bardheblutë. Ne japim maksimumin në stërvitje, pavarësisht kundërshtarit. Derbi është derbi dhe detyrat taktike kalojnë përtej. Këtu kemi lojtarë kampionë, por kemi dhe lojtarë që nuk e kanë provuar derbin. Pra, është një miksim i tillë në aspektin psikologjik, shpresojmë të fitojmë nesër.

Stadiumi? Me thënë të vërtetën do të ishte më mirë të luhej në stadiumin “Selman Stërmasi”, sepse aty kemi dalë kampionë së fundi, në ndeshjen ndaj Tiranës. Pavarësisht se ky stadium nuk është i yni, por i bashkisë, kemi fat, ndaj do të ishte më mirë aty. Autoritetet nuk morën përsipër organizimin e ndeshjes aty dhe u detyruam ta zhvillojmë ndeshjen në “Elbasan Arena”.

Tirana do pikët e sigurimit të titullit? Unë nuk merrem se çfarë mendon Tirana dhe kur ata duhet të shpallen kampionë. Tirana ka ndeshje të tjera për të dalë kampion, jo ndaj nesh. Është e vështirë që të parashikosh një derbi.

Tirana i ka shfrytëzuar shumë mirë elementët që ka, sepse në situatat e ndryshme i shënon golat. Te skuadra ime shoh që vuan në 20 metrat e fundit, prodhojmë shumë dhe shpërdorojmë shumë raste për gol. Ne i kemi shumë të rëndësishëm, nuk bëjmë dot pa tifozët. Kanë bërë gjithçka, iu bëj thirrje të jemi të gjithë bashkë, sepse këtu tregohet sesa e duam klubin”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit