Mehmeti nuk fshihet, para Dinamos: Objektivi ynë kryesor, fitimi i Kupës së Shqipërisë

26 Janar 2022
12:17
Alfred Lleshi
back button

Nesër, prej orës 16:45, në “AIR Albania” do të luhet derbi i kryeqytetit, Partizani-Dinamo. Kësaj here, përballja do të jetë në kuadrin e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Pas dy sfidash ndërqytetase do të shpallet edhe skuadra që siguron raundin tjetër. Trajneri i “demave të kuq”, Dritan Mehmeti, doli sot në konferencë për shtyp, ku nënvizoi”:

“Dinamo ka ndryshuar, ne do të ndjekim filozofinë tonë kundër kujt çdo kundërshtari, pavarësisht se me Dinamon është një ndeshje derbi. Ky kompeticion ka rëndësi specifike, sepse janë vetëm dy ndeshje, që të japin mundësinë për të kaluar turin.

Ndryshojnë specifikat ndaj Kastriotit, që mbrojti me shumë forca. Duhet të kemi më shumë durim përpara portës dhe ato raste që të vijnë t’i konkretizojmë në mënyrën e duhur. Megjithatë, ndaj Dinamos është një specifikë tjetër, sepse po flasim për ekip të mirëorganizuar, që të lë të luash futboll. Këtu do të tregojmë vlerat tona reale.

Synimi? Do të futemi në fushë për të fituar, më të mirin ta urojmë në fund. Porosia e veçantë për sulmuesit është që të mos e ndiejnë presionin, të luajnë me entuziasëm. Skuadra duhet të jetë fanatike në veprimet sulmuese.

Kupa? Duke pasur parasysh pozicionin në tabelën e renditjes së kampionatit do të bëjmë maksimumin që të rritemi në Kupë. Ky është një kompeticion që mund të na dërgojë në Kupat e Europës, çka përbën objektivin minimal të Partizanit.

Shpresoj që në mbyllje të merkatos të plotësojmë disa elementë, që i kemi të nevojshëm për të arritur objektivat. Partizani lufton gjithmonë për të dy trofetë, në fushë do të zbresin më të mirët nesër. Duam që ta kalojmë këtë situatë dhe të ngjitemi sa më lart, të shkojmë drejt objektivit, që është fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Kemi shumë ndeshje përpara, do të luftojmë fort në të dyja frontet. Merkato e janarit të jep shumë pak mundësi, duhet të jesh shumë i kujdesshëm me përzgjedhjet. Bitri ka pasur disa probleme si pasojë e mungesës së gjatë prej COVID-19 dhe tapetit sintetik.

Me Astanën është stërvitur me tapet tjetër dhe i ka ardhur ky dëmtim. Është rikuperuar 80%, sot do të jetë dita që të vendosim për të. Shpresoj që Bitri të jetë në lojë, por kjo varet nga dakordësia që mund të japë stafi mjekësor”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit