Mema: “Do vijë edhe dita e Tiranës. Në vend të Dajës, nuk do isha aq i duruar”

28 Shkurt 2019
15:33
back button

Derbi është kthyer në makth për Tiranën, sepse nuk e mund Partizanin prej 5 vitesh, por sfida e së premtes pritet me qetësi nga bardheblutë. Kanë në favor faktorin fushë, stadiumi do të jetë thuajse i tëri bardheblu, ndërsa ecuria e mirë në vitin 2019 ka rikthyer entuziazmin, edhe pse për momentin askush nuk bën premtime të mëdha.

Nuk premton fitore në derbi as trajneri Ardian Mema, i cili sot ka folur për mediat, duke u munduar të largojë presionin nga skuadra e tij dhe duke mos i kushtuar shumë rëndësi traditës së viteve të fundit.

DERBI – "Tirana nuk fiton prej pesë vitesh, por do të vijë edhe dita për ta thyer Partizanin. Ky është futbolli dhe i pranon të tria rezultatet. Do jetë ndeshje shumë e fortë, në fund do fitojë ekipi që gabon më pak. Shpresojmë të bëjmë sa më pak gabime, këtë kemi diskutuar edhe gjatë javës. Jam munduar ta mbaj ekipin larg presionit, që derbi ta sjell gjithsesi. Kuptohet që derbi ka specifikën e vet, por Tiranës më së shumti i duhen pikët se sa presioni. 

"Po të nisesh nga renditja, është Partizani favorit, por le t’ia lëmë fushës se kush do të jetë fituesi. Ata janë në vend të parë dhe me meritë janë aty ku janë. Ekipi është në rrugë të mbarë dhe ka fituar me ekipet e kreut, duke përfshirë këtu, Flamurtarin, Kukësin dhe Skënderbeun. Vetëm Partizani ka mbetur pa u thyer dhe shpresojmë ta thyejmë. Mendoj që grupi do të jetë forca jonë nesër".

GARA PËR TITULL – "E thashë pas ndeshjes kundër Kukësit që ndoshta mund t'u bëjmë edhe atyre një dhuratë, siç ia bëmë Partizanit duke mundur Kukësit. Ne kemi hallet tona, duam pikë për vete, nuk na intereson a i bëjmë nder ndokujt".

FORMACIONI – "Zakonisht fut në lojë lojtarët që janë më në formë dhe që janë përshtatur më së miri me grupin. Nuk do të ketë ndryshime. Pak a shumë do të jetë i njëjti formacion me ndeshjen e shkuar. Ata lojtarë që do të punojnë fort dhe do jenë seriozë do luajnë. Halili në stol, edhe pse shënoi në derbin e fundit? Edhe Grenti po punon shumë dhe meriton hapësirën e vet, pasi ai është një lojtar shumë i edukuar dhe ka dhe karakter sportiv".

SULMI I PARTIZANIT – "I pashë edhe ndeshjen e shkuar dhe kanë në sulm lojtarë shumë të mirë. Gjithsesi, edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë në rolet ku luajnë Bardhi, Asani e Mala. Duelet janë ato që e fitojnë ndeshjet. Ndeshjen e fundit më kujtohet mirë që nuk është se Partizani fitoi shumë duele, por ne bëmë gabime dhe humbëm”.

STADIUMI PLOT – "Tifozët e Tiranës do të jenë përkrahës të ekipit dhe nuk kanë pse merren me kundërshtarët. Kjo vlen edhe për tifozët e Partizanit. Do të jetë një ndeshje “fair-play” edhe për tifozeritë, pasi tek e fundit jemi dy skuadra të një qyteti, pavarësisht historisë. Mendoj që tifozeria e Tiranës ka fituar kundrejt tifozerisë së Partizanit, por ndeshjeet në fushë kanë dalë keq. Shpresoj që lojtarët tanë t’i gëzojnë tifozët.”

INCIDENTI NË PARTIZANI-FLAMURTARI – “Të them të drejtën, nëse do më ndodhte mua ajo që i ndodhi Flamurtarit, do të isha më agresiv se Daja. Shpresoj mos të ketë probleme dhe nuk besoj se do të ketë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit