Mema “vullkan”: Arbitër skandaloz, bëri gjithçka me “laps e letër”

18 Mars 2019
11:20
back button

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, ishte një ndër protagonistët e inicidentit në fund të ndeshjes në Fushë-Krujë, sepse tentativa e tij për të biseduar me arbitrin krijoi tension, me forcat e policisë që reaguan ashpër dhe e tepruan, duke e trajtuar Memën si një tifoz të thjeshtë, i cili mund të shkaktonte ndonjë përplasje fizike.

Në lidhje telefonike me "Rubrikën Sportive" në RTSH, trajneri i Tiranës u ndal tek ngjarja dhe sqaroi gjithçka ndodhi gjatë dhe pas ndeshjes plot tension, ku Kastrioti fitoi 1-0 me një penallti inekzistente.

"Së pari, dua të sqaroj ngjarjen në fund të ndeshjes. Shkova te gjyqtari për ta pyetur pse më largoi nga stoli gjatë ndeshjes. Në atë moment ndërhyri një polic i veshur me të bardha, duke më goditur së bashku me dy policë të tjerë. Unë shkova thjesht të pyesja atë arbitër skandaloz pse më nxori me karton të kuq, kaq, nuk kisha asnjë qëllim tjetër dhe nuk e kuptoj reagimin e policisë. Mora të shtyra e goditje, nuk pata mundësi as të flas me arbitrin më pas. Duket qartë nga pamjet që unë nuk shkoj për konfrontim tek arbitri, doja një komunikim normal me një arbitër që në fakt kishte tendencë për të na dëmtuar gjatë ndeshjes. Nuk shkova t'i jepja dorën, sepse ai njeri është skandaloz, nuk meriton asgjë, por nuk kisha ndonjë plan për konfrontim.

"Së dyti, fusha nuk është në nivelin e duhur për të luajtur futboll. Topi kërcente, fusha e keqe na penalizoi sepse dihet që ndihmon ekipet më pak cilësore, ndërkohë që na dëmtoi shumë edhe arbitrimi. 

"Me sa kuptova unë, situata nuk kishte arsye pse të precipitonte. Donin të na çonin me zor në dhomat e zhveshjes, nuk e kuptova. Aty ambienti është shumë i vogël, ne nuk po bënim asgjë dhe nuk kemi asgjë me Kastriotin. U ndamë normalisht me kundërshtarët, mbaroi gjithçka në rregull, e kishim vetëm me arbitrin. Pamjet flasin qartë që askush nuk e ka sharë e ofenduar arbitrin, nuk e kuptoj atë kaos që u krijua, një konfrontim kot, pa kuptim.

"Pasojat? Ky është problemi, nëse të vidhet ndeshja do ketë pasojë. Nëse do vazhdojmë kështu, me arbitra të tillë, të prishet gjithçka, sezoni, investimi, karriera. Duhet parë mirë kjo pjesa e arbitrimit, sepse përndryshe nuk do ketë mbarëvajtje në futbollin shqiptar. Ishalla nuk ndodh gjë, sepse mund të ndodhin gjëra edhe më të rënda se ajo në Fushë-Krujë.

"Ngo? Ai është provokuar 4-5 herë nga lojtarët e Kastriotit, ndoshta ka qenë edhe strategji e tyre. Ngo është lojtar gjaknxehtë, kalon shpejt në konfrontim. Unë doja që të mos kishte acarime, doja që lojtarët të qëndronin të qetë, por e pashë të arsyeshme ta ndërroja, sepse Ngo më duhej për të ardhmen dhe vura re që arbitri ishte tendencioz ndaj tij. Nuk fillon e nuk mbaron kampionati me ndeshjen ndaj Kastriotit, ndaj duhet të mendojmë për vazhdimësinë. Arbitri na dha edhe dy kartonë që na pezullojnë dy lojtarë për ndeshjen e Laçit, ndaj ky arbitër më duket se i kishte bërë mirë llogaritë. Nuk e kuptoj këtë lloj arbitri, nuk di çfarë të mendoj tjetër.

"Kartoni i kuq? Në momente hutimi nuk e kontrolloja veten, gabova unë. Shpesh anësori më kërkonte që të mos dilja nga zona ime. Arbitrit në një moment thjesht i thashë 'pse e ndaloi lojën', kur dha një faull. Ai më pa në fushë, ku ndoshta unë nuk isha vetvetja, por nuk pati ofendim".

"Gabimet e arbitrave? Të gjithë gabojnë vetëm nëse duan të gabojnë, sepse i kemi parë sa mirë sillen kur gjykojnë jashtë. Gabime bëjmë të gjithë, nuk diskutohet, por me këto gjykime prishet futbolli. Duhet korrektësi, dallohen gabimet tendencioze nga ato normale, për të cilat shpesh ankohemi dhe më pas kërkojmë edhe falje".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit